Grupet kriminale shqiptare të organizuara janë bërë aktorë kryesorë në mjedisin kriminal të Italisë, duke ngritur nevojën për operacione të posaçme nga autoritetet.

Në fillim të vitit 2023, një gjykatës në Trento, një qytet në veri të Italisë pranë kufijve me Zvicrën dhe Austrinë, dënoni 28 veta me burg, dhe dënimet varionin nga tetë muaj deri në pesë vjet, pasi u akuzuan në operacionin e antidrogës Continuo a spacciare (Unë vazhdoj të trafikoj). Hetimi, i cili përfundoi në mars 2022, zbuloi një rrjet kompleks të grupeve kriminale – shumë me kombësi shqiptare, në bashkëpunim me italianë dhe marokenë – të përfshirë në trafikimin e kokainës në Evropë. Sipas policisë së Italisë, selia dhe qendra logjistike për tregtinë e paligjshme ishte Café 34 në zemër të qytetit.1

Hetimet hodhën dritë mbi një sistem të sofistikuar që ishte krijuar për të kryer trafikimin e kokainës nga Evropa lindore në zonën e Trentino dhe në rajone të tjera të Italisë me lidhje në Austri. Si rezultat i operacionit, kafeneja u konfiskua dhe më shumë se 50 veta u arrestuan. Përveç kësaj, policia konfiskoi 21 kilogramë drogë, €85 795 para cash dhe sende luksoze me vlerë €35 000.

Depërtimi i grupeve kriminale nga Shqipëria në Trento thekson përshtatjen e lartë dhe zhvillimin e shpejtë të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Itali – edhe në një zonë që gjithmonë është perceptuar si zonë ‘pa mafia’. Konfiskimi i Café 34 nuk duhet të konsiderohet si një rast i izoluar, por si provë e zgjerimit prej kohësh të ndikimit të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Evropën Perëndimore dhe në veçanti në Itali. Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar dhe divizionit anti-mafia të Italisë, grupet shqiptare të krimit të organizuar janë një prej grupeve të huaja më të fuqishme të krimit të organizuar që operojnë në Itali.2

Aktualisht shqiptarët janë një prej komuniteteve të huaja më të mëdha në Itali, të cilët përbëjnë rreth 11,5% të shtetasve që nuk janë pjesë e BE-së. Në vitin 2020, rreth 416 000 shtetas shqiptarë jetonin ligjërisht në Itali.3 Këto shifra nuk përfshijnë fëmijët që u kanë lindur emigrantëve shqiptarë me shtetësi italiane ose nga çifte të përziera italo-shqiptare. Disa analistë përllogaritin se rreth 25 000–30 000 fëmijë shqiptarë të gjeneratës së dytë kanë lindur pa shtetësi italiane.4 Komuniteti shqiptar është integruar në faktorë të rëndësishëm të ekonomisë italiane, si sektori i ndërtimit dhe fusha industriale. Gjatë viteve 2020 deri në 2022, përqindja e punësimit të shqiptarëve në Itali ishte 56,2% krahasuar me 60,1% për të gjithë shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së që jetojnë në vend.5 Megjithatë, cenueshmëria dhe pasiguria ekonomike i kanë nxitur disa shqiptarë të kërkojnë mundësi të paligjshme.

Ndërkohë që kriminelët shqiptarë në qytete të mëdha si Roma marrin shumicën e vëmendjes (shiko më poshtë), në dhjetë vitet e fundit, disa grupe kriminale shqiptare janë transferuar në qytete më të vogla në veri të Italisë. Grupet shqiptare kanë krijuar prezencë të fortë në qytetet pranë Varese, Como dhe Lecco, siç bëhet e ditur nga operacionet White Eagle në 2010 dhe Bardhy në 2022. Operacioni White Eagle zbuloi lidhjet e kriminelëve shqiptarë në Lombardi dhe në rajonet përreth: droga importohej nga Holanda, Suedia dhe Austria, dhe më pas shpërndahej përmes rajoneve të Lombardisë, Piemontes, Emilia-Romanjës dhe Lacios.6 Në zonën e Komos u krye operacioni Bardhy, në të cilin u ekspozua një rrjet i madh shqiptar i trafikimit të drogës në Itali: kokaina importohej nga Holanda përmes qyteteve të Breneros (Itali) dhe Frejus (Francë), ndërsa kanabisi vinte nga Shqipëria përmes rajonit italian të Pulias. Heroina importohej nga Turqia përmes Sllovenisë në provincën e Triestes.7

Në Vareze, krimi i organizuar shqiptar kishte rrënjë të thella: në nëntor 2011, 500 kilogramë kanabis – gati për t’u shpërndarë në Itali dhe Zvicër – u konfiskuan në një magazinë që zotërohej nga shqiptarë.8 Në operacionet Illyricum dhe The Diggers, të cilët u kryen paralelisht në tetor 2021, autoritetet e zbatimit të ligjit identifikuan dhe shkatërruan grupet kriminale shqiptare të trafikimit të drogës në zonën e Aostës në kufi me Francën dhe në qytetin e Teramo, në pjesën rurale qendrore-jugore të Italisë.9 Operacioni Kanun në Arezo, Toskanë, në vitin 2002 bëri të mundur arrestimin e një bosi shqiptar 37-vjeçar me leje qëndrimi të rregullt. Ai u zbulua fajtor për drejtimin e një rrjeti të trafikimit të drogës që përbëhej nga më shumë se 100 kriminelë me origjinë shqiptare të shpërndarë në gjithë vendin.10

Arezo ishte përsëri në krye të artikujve mediatikë në nëntor 2021 falë kërkimit që policia i bëri një kamioni që u ndalua në një autostradë, në të cilin ishin fshehur 476 kilogramë kokainë me vlerë tregu prej 45 milionë € – konfiskimi më i madh i kokainës në Arezo deri më sot. Shoferi ishte shqiptar dhe rezident prej kohësh i Firences. Ai u zbulua teksa transportonte kokainë përgjatë A1, autostrada më e ngarkuar që lidh Italinë qendrore me rrugëkalimin në malin Brener, hyrja për në Evropën perëndimore.11

Dhuna dhe shqiptarët e gjeneratës së dytë në Romë

Ndërkohë që grupet shqiptare të krimit të organizuar i kanë zgjeruar fshehtas veprimtaritë e tyre në Italinë e veriut, dhuna dhe sjellja e shfrenuar janë të dukshme mes bosëve shqiptarë të rinj e të vetëshpallur në Romë. Në dhjetë vitet e fundit, operacione të mëdha policore të tilla si, Batteria di Ponte Milvio dhe Grande Raccordo Criminale tregojnë se si shqiptarët e gjeneratës së dytë – fëmijët e refugjatëve që kanë ardhur me një valë të madhe diaspore në fillim të viteve 1990 – kanë fituar mjaft respekt te të rinjtë kriminelë lokalë për të drejtuar pjesë të mëdha të tregut të drogës për shkak të mënyrës agresive si i kontrollojnë territoret e tyre.12 Kjo gjeneratë e kriminelësh ka lindur dhe është rritur në Itali. Pjesëtarët e rinj të familjeve shqiptare me histori kriminale e kanë ndarë qytetin mes tyre. Ata e njohin territori dhe dinë si të lëvizin në të; ata flasin dialektin roman dhe nuk kanë frikë as nga konkurrenca, as nga policia.

Oficerët e policisë së Guardia di Financza italiane duke patrulluar në Ostia, qarku bregdetar i Romës.

Oficerët e policisë së Guardia di Financza italiane duke patrulluar në Ostia, qarku bregdetar i Romës.

Foto: Tiziana Fabi/AFP via Getty Images

Në prill 2022, policia e Romës arrestoi Elvis Demce, një shqiptar i gjeneratës së dytë dhe një udhëheqës bande i pashpirt. Arrestimi i tij parandaloi vrasjen e dy pjesëtarëve të një grupi rival, me sa duket për shkak të një mosmarrëveshjeje për konflikt interesi në bizneset e ndërtimit dhe pronave të paluajtshme. Për këtë rast, ai kishte blerë pushkë M16 dhe AK-47, armë të tjera të ndryshme dhe një bazukë me të cilën kishte ndërmend të ‘digjte shtëpinë e rivalit’.13

Në Romë – një qytet që historikisht është kontestuar nga bandat lokale, mafia tradicionale e jugut të Italisë dhe grupet e huaja – shqiptarët kanë treguar se kanë aftësinë të bashkëpunojnë në mënyrë oportuniste, duke u futur në heshtje në qendrat më fitimprurëse të trafikimit të drogës. Ky përfundim vjen nga hetimi policisë së Romës në vitin 2015 Mondo di mezzo, falë të cilit u arrit të shkatërrohej një grup kriminal italo-shqiptar. Grupi kishte krijuar një aleancë ngjashëm mafias për të kontrolluar tregun e kokainës dhe për t’u zhvatur para në mënyrë sistematike pronarëve të bizneseve në Ostia, një zonë bregdetare pranë Romës.14

Operacioni Brasile low cost në vitin 2017 konfirmoi ekzistencën e një ‘bashkëpunimi të fortë afatgjatë’ mes bosëve historikë të mafias së Romës të kalibrit Fabrizio Piscitelli (i ashtuquajtur Diabolik) dhe Salvatore Casamonica me bosin shqiptar ndërkombëtar të drogës Dorian Petoku, i cili u arrestua në Shqipëri në vitin 2019 dhe më pas u ekstradua në Itali.15 Sipas policisë, ky nivel i lartë bashkëpunimi kishte për qëllim të ruante paqen mes klaneve të ndryshme që konkurronin për furnizimin e tregjeve evropiane me kokainë përmes Italisë qendrore dhe për garantimin e kanaleve të qëndrueshme të furnizimit të drogës nga Brazili përmes Spanjës.16

Përgjatë viteve, periferitë e Romës u bënë tregu kryesor i drogës në qytet dhe një prej zonave më të rëndësishme të trafikimit në Itali. Një operacion në shkurt 2021 i koordinuar nga Europoli tregon nivelin që arritën shqiptarët në zinxhirin e furnizimit. Ky operacion rrëzoi serverin e komunikimit sekret Sky ECC, i cili përmbante biseda të enkriptuara të 170 kriminelëve, të cilët ishin të bindur se mund të komunikonin lirshëm. Bisedat private treguan madhësinë dhe shkallën ndërkombëtare të grupeve shqiptare të krimit të organizuar: kokaina, e cila fillimisht blihej dhe merrej pranë Napolit, mbërrinte në Romë e fshehur në kuti që mbartnin kivi nga Ekuadori. Ajo mbërrinte në anije mallrash që kishin ndaluar në Marok, ku grupet kishin lidhur marrëveshje me ushtrinë. Pasi mbërrinte në Itali, ajo transportohej në kamionë nga Gioia Tauro, një port kalabrez që kontrollohej nga ‘Ndrangheta.17

Përveç këtyre lidhjeve me kriminelët vendës, përgjatë viteve, shumë shqiptarë ishin në gjendje të depërtonin në zonat gri të shoqërisë së lartë italiane. Disa figura publike, italiane dhe shqiptare, u raportuan se kishin krijuar lidhje me grupet kriminale shqiptare, si Alessandro Corvesi (një ish-futbollist) dhe kampioni i boksit Orial Kolaj.18 Prania e shqiptarëve në mjedisin kriminal italian është kaq e rrënjosur thellë saqë mund të thuhet se ata janë ngjitur tashmë në shkallët e krimit dhe e kanë legjitimizuar rolin e tyre si partnerë të barabartë me mafien tradicionale italiane.19

Zgjedhja e vendit për veprimtaritë e tyre nuk duket se ishte rastësi. Shumë qytete të vogla ku grupet shqiptare të krimit të organizuar ishin vendosur, janë shumë pranë qendrave logjistike ndërkombëtare ose kufijve ndërkombëtarë. Kjo tregon gjithashtu natyrën ndërkombëtare të shumë prej veprimtarive të këtyre grupeve. Italia verilindore – sidomos në zonën mes Trentos, Veronës dhe Venecias – është çelësi për qarkullimet e paligjshme, pasi ofron të gjitha mundësitë logjistike të nevojshme për të lëvizur mallrat e paligjshme. Ky trend për t’u zgjeruar në qytetet e vogla dhe strategjike ka shumë gjasa të vazhdojë. Por ndërsa taktikat e grupeve shqiptare të krimit të organizuar evoluojnë, po kështu ndodh edhe me taktikat e policisë. Sipas prokurorit italian Nicola Gratteri, hetimet e ardhshme në Itali do të fokusohen në masë të madhe dhe progresive te grupet ngjashëm mafias nga Shqipëria.20

Shënime

  1. Trento Today, La storia del Cafè 34 finisce con 28 condanne, 4 mars 2023, https://www.trentotoday.it/cronaca/cafe-34-ventotto-condanne-inchiesta-guardia-finanza.html

  2. GI-TOC, Global Organized Crime Index 2021, shtator 2021, https://ocindex.net/assets/downloads/global-ocindex-report.pdf; dhe Ministria e Brendshme e Italisë, Relazione del Ministro dell’Interno al Parlamento sull’attività svolta e risultati conseguiti Direzione Investigativa Antimafia, janar–qershor 2021 dhe korrik–dhjetor 2021, https://direzioneinvestigativaantimafia.interno.gov.it/relazioni-semestrali/

  3. Romano Carabotta, Ne impediatur legatio: analisi storica e geopolitica dei rapporti tra Italia ed Albania, Opinio Juris, 18 shkurt 2022, https://www.opiniojuris.it/ne-impediatur-legatio-analisi-storica-e-geopolitica-dei-rapporti-tra-italia-ed-albania/ 

  4. Keti Biçoku, Cittadini italo-albanesi: la carica dei 200 mila, Osservatorio Balcani Caucaso, 26 shkurt 2018, https://www.balcanicaucaso.org/aree/Albania/Cittadini-italo-albanesi-la-carica-dei-200-mila-185685

  5. Romano Carabotta, Ne impediatur legatio: analisi storica e geopolitica dei rapporti tra Italia ed Albania, Opinio Juris, 18 shkurt 2022, https://www.opiniojuris.it/ne-impediatur-legatio-analisi-storica-e-geopolitica-dei-rapporti-tra-italia-ed-albania/

  6. Silvia Savoye, Operazione White Eagle: la sentenza agli inizi di giugno, 20 maj 2010, AostaSera, https://aostasera.it/notizie/cronaca/operazione-white-eagle-la-sentenza-agli-inizi-di-giugno/

  7. Maurizio Franco, Youssef Hassan Holgado dhe Filippo Poltronieri, Così i narcos albanesi fanno affari con le organizzazioni criminali che dominano Roma, IRPI Media, 18 janar 2023, https://irpimedia.irpi.eu/narcos-albanesi-dominano-roma-casamonica/

  8. LaRepubblica, Varese, in garage 5 quintali di marijuana: tre arresti, 28 nëntor 2011, https://video.repubblica.it/edizione/milano/varese-in-garage-5-quintali-di-marijuana-tre-arresti/81811/80201

  9. EkuoNews, Operazione The Diggers, sgominata rete di spaccio tra Teramo e L’Aquila: 8 arresti ma 5 irreperibili, 7 tetor 2021, https://www.ekuonews.it/07/10/2021/operazione-the-diggers-sgominata-rete-di-spaccio-tra-teramo-e-laquila-8-arresti-ma-5-irreperibili/

  10. Da Arezzo dirigeva la cosca sgominata la mafia albanese, La Repubblica, 25 maj 2002, https://ricerca.repubblica.it/repubblica/archivio/repubblica/2002/05/25/da-arezzo-dirigeva-la-cosca-sgominata-la.html

  11. Arezzo, quattro quintali di cocaina nell’autocarro del muratore. Sequestro record: valore 45 milioni. I retroscena, Corriere di Arezzo, 10 nëtor 2021, https://corrierediarezzo.corr.it/news/arezzo/29398131/arezzo-polizia-guardia-di-finanza-cocaina-firenze-albania-droga.html

  12. Për shembull: Mafia Capitale, dagli albanesi ai napoletani: Ponte Milvio terra di conquista dei clan, RomaToday, 9 dhjetor 2014, https://www.romatoday.it/cronaca/batteria-ponte-milvio-mafia-capitale.html; Mauro Cifelli, Il Grande Raccordo Criminale per inondare Roma di droga: 51 arresti, Diabolik a capo dei narcos, RomaToday, 28 nëntor 2019, https://www.romatoday.it/cronaca/grande-raccordo-criminale-arresti-roma-oggi.html

  13. Andrea Ossino, Il boss albanese e quel bazooka per sventrare la casa di un imprenditore: ‘Ma quando je damo du’ botte a sti indegni?’, La Repubblica, 17 prill 2022, https://roma.repubblica.it/cronaca/2022/04/16/news/un_bazooka_per_il_proprietario_
    della_cavese-345657882/

  14. Mondo di Mezzo, dagli arresti alle sentenze: cosa c’è da sapere, Sky tg24, 22 tetor 2019, https://tg24.sky.it/cronaca/approfondimenti/mafia-capitale

  15. Andrea Ossino, Mafia albanese, il giudice scarcera il re dei narcos: ‘È tossicodipendente’, La Repubblica, 26 tetor 2022, https://roma.repubblica.it/cronaca/2022/10/25/news/giudice_scarcera_re_dei_narcos_e_tossicodipendente-371675590/

  16. A Mar, ‘Se vengono in aereo, so’ guardie’, Dagospia, 17 shkurt 2020, https://www.dagospia.com/rubrica-29/cronache/39-39-se-vengono-aereo-so-39-guardie-39-39-summit-227130.html

  17. Carlo Bonini, Criptomafia, La Repubblica, 16 dhjetor 2021, https://www.repubblica.it/cronaca/2021/12/16/news/criptomafia_come_telefoni_criptati_encrochat_e_sky_ecc_le_nuove_armi_di_narcos_e_criminali_globali_sono_finite_
    nella_ret-330203679/

  18. Orial Kolaj, pugile e esattore del clan dei Casalesi ad Acilia (Roma), Blitz, 30 tetor 2013, https://www.blitzquotidiano.it/rassegna-stampa/orial-kolaj-pugile-per-conto-dei-casalesi-massari-sul-fatto-quotidiano-1705840/; Omicidi su commissione: l’ex giocatore della Lazio Corvesi e Er Principe dell’Olgiata, Fanpage.it, 1 gusht 2022, https://www.fanpage.it/roma/omicidi-su-commissione-lex-giocatore-della-lazio-corvesi-e-er-principe-killer-per-hobby/. 

  19. Direzione Nazionale Antimafia, Raporti vjetor, 1 July–30 qershor 2012, dhjetor 2012, https://www.stampoantimafioso.it/wp-content/uploads/2013/01/DNA_Dicembre-20121.pdf

  20. Jamil El Sadi, Mafie in Europa, Gratteri: ‘Un problema poco visibile ma forte e pervasivo’, Antimafia Duemila, 12 prill 2022, https://www.antimafiaduemila.com/home/mafie-news/309-topnews/89055-mafie-in-europa-gratteri-un-problema-poco-visibile-ma-forte-e-pervasivo.html