Buletini i rreziqeve Shkarkoni PDF Click here to view the
Global Organized Crime Index

Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore

Numri
15
Maj
2023

Përmbledhje e pikave kryesore

  1. Kultivimi i kanabisit në ambiente të brendshme është një industri gjithnjë e në rritje në Kosovë.

    Para vitit 2019, kultivimi i kanabisit në ambiente të brendshme në Kosovë ishte një fenomen i rrallë dhe kryesisht bëhej për përdorim personal. Megjithatë, në tre vitet e fundit ka pasur një rritje në shkallë të gjerë të kultivimit të kanabisit në laboratorë – shumica e të cilit kishte për qëllim të shitej në tregje të huaja. Përmes analizimit të të dhënave primare dhe intervistave me zyrtarët dhe ekspertët kryesorë, ky artikull eksploron arsyet që fshihen pas rritjes, zonave të nxehta të kultivimit dhe profilit të personave të arrestuar për këtë vepër penale.

    Lexo më shumë

  2. Të miturit e pashoqëruar përballen me udhëtime të vështira gjatë rrugës së emigrimit nga Ballkani Perëndimor në BE.

    Fëmijët e pashoqëruar që udhëtojnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor janë mjaft të rrezikuar për të rënë pre e trafikimit të qenieve njerëzore dhe e shfrytëzimit seksual. Numri gjithnjë në rritje i të miturve të pashoqëruar që udhëtojnë përmes Ballkanit, sidomos të rinjtë nga Afganistani, vetëm sa e kanë përkeqësuar problemin. Komunikimi dhe koordinimi më i mirë mes agjencive të zbatimit të ligjit dhe organizatave që punojnë në kampet e emigrantëve janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët që lëvizin.

    Lexo më shumë

  3. Grupet kriminale shqiptare të organizuara janë bërë aktorë kryesorë në mjedisin kriminal të Italisë, duke ngritur nevojën për operacione të posaçme nga autoritetet.

    Grupet kriminale shqiptare në Itali kanë evoluar nga autorët e veprave penale të vogla në aktorë të rrezikshëm në ekonomi të caktuara të jashtëligjshme, si trafikimi i kokainës dhe kanabisit. Këto grupe e kanë zgjeruar fushën e veprimtarisë së tyre nga qytetet e mëdha, si Roma, te qytetet e vogla dhe komunitetet rurale, sidomos në veri të vendit. Ato kanë legjitimizuar rolin e tyre si partnerë të barabartë në mafian tradicionale italiane, duke bërë që zbatimi i ligjit në vend t’i përqendrojë gjithnjë e më shumë operacionet e tij në këto grupe të stilit të mafiave nga Shqipëria.

    Lexo më shumë

Rreth Këtij Numri

“Buletini i rreziqeve” i prodhuar nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore i Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar zakonisht jep informacion lidhur me çështjet aktuale të krimit të organizuar të profilit të lartë. Numri i 15-të përqendrohet te zhvillimet e krimit të organizuar në rajon, të cilat kanë tërhequr më pak vëmendjen e publikut, por që duhet të monitorohen po njëlloj.

Si fillim i drejtohemi Serbisë, ku një propozim i qeverisë për rregullimin e policisë është përballur me kundërshtimin e publikut. Projektligji për policinë jo vetëm që shihet një kërcënim i mundshëm ndaj të drejtave të qytetarëve, por përmban edhe disa mangësi për të luftuar krimin e organizuar. Ndërsa qeveria mban konsultime publike me shoqërinë civile dhe sindikatat e policisë për të rihartuar ligjin, mbetet ende për t’u parë nëse rregullat e reja policore do ta ndihmojnë vendin të arrijë rekomandimet e përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Dy tregjet kriminale që marrin pak vëmendje në Ballkanin Perëndimor janë trafikimi i objekteve antike dhe kultivimi i kanabisit në ambiente të brendshme. Artikulli i dytë dhe i tretë hedhin dritë mbi këto probleme, duke eksploruar mënyrën se si trafikimi i objekteve antike kërcënon trashëgiminë kulturore të Maqedonisë së Veriut dhe duke parë arsyet që fshihen pas rritjes së kultivimit të kanabisit në ambiente të brendshme në Kosovë.

Në vazhdim të fokusit tonë te pikat e nxehta të ekonomive të paligjshme në Evropën Juglindore, shohim qytetin boshnjak Gradiška, i cili shtrihet pranë kufirit me Kroacinë. Edhe pse qyteti ka qenë prej kohësh një qendër e trafikimit, duket se është bërë një rrugë kalimi për trafikantët që duan të depërtojnë në tregjet e BE-së që kur Kroacia hyri në zonën Schengen në fillim të vitit 2023.

Një rrezik tjetër që merr pak vëmendje është numri i madh i fëmijëve që lëvizin përmes rrugës së Ballkanit drejt BE-së, shumë prej të cilëve po ua mbathin shkeljeve të të drejtave të njeriut në vendet e tyre. Kësaj i shtohen edhe rreziqet e shfrytëzimit gjatë udhëtimit të tyre. Rrallëherë dëgjohen historitë e tyre, ngaqë ata nuk duan të tregojnë nga frika se mos ndëshkohen apo se mos i kthejnë në shtëpi.

Një synim i vazhdueshëm i këtij “buletini të rrezikut” është të monitorohen aktivitetet e grupeve kriminale të Ballkanit Perëndimor që operojnë jashtë rajonit. Artikulli i fundit në këtë numër flet për rritjen e mafies italo-shqiptare, të grupeve kriminale që kanë depërtuar në mjedisin e krimit të organizuar në Itali.

Si gjithnjë, duam të dimë komentet dhe sugjerimet tuaja për histori të reja. Nëse doni të na kontaktoni ose nëse keni ndonjë ide për një histori, ju lutemi të kontaktoni Vanja.Petrovic@globalinitiative.net.