Rrogat e ulëta të oficerëve të policisë në Ballkanin Perëndimor rrezikojnë të çojnë në rritjen e korrupsionit në radhët e tyre.
Roli kryesor i policisë në një vend demokratik është të ruajë rendin dhe qetësinë publike, të parandalojë dhe luftojë krimin dhe t’u shërbejë qytetarëve me taksat e të cilëve paguhet siguria publike. Policia ofron një shërbim që shpesh është i rrezikshëm dhe mund të përfshijë edhe punën me orar të zgjatur në kushte të vështira. Kjo punë ka ndikim të madh negativ te shëndeti mendor i oficerëve të policisë. Për kryerjen e saj, duhen rezistencë dhe gjykim i shëndoshë dhe një nivel i lartë përgjegjësie kur bëhet fjalë sidomos për përdorim të forcës vdekjeprurëse.
Ia vlen të përmendet se, ndonëse popujt në Ballkanin Perëndimor shohin vend për përmirësim në aspektin e drejtësisë penale (ku përfshihet edhe lufta kundër krimit të organizuar),1 ata kanë mendim relativisht të mirë për policinë.2 Është normale të mendosh që ata që janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve duhet të marrin rrogë që është e arsyeshme, që i përgjigjet kostos së jetesës dhe që është tërheqëse për individët profesionistë dhe të motivuar dhe e mjaftueshme për të nxitur kënaqësinë nga puna. Megjithatë, rrogat e oficerëve të policisë në Ballkanin Perëndimor, në realitet, nuk përputhen me këtë pritshmëri.
Nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh rrogat e policisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. GI-TOC-ja ka mbledhur dhe përpiluar informacionet e mëposhtme duke u mbështetur në burime të ndryshme. Këto informacione janë hamendësimi më i mirë që mund të bëjmë duke marrë për bazë të dhënat e disponueshme (kryesisht ato të vitit 2021). Për t’i bërë krahasimet më të lehta, rrogat janë paraqitur në euro dhe në vlerën neto, pas tatimit dhe zbritjes së përfitimeve. Nuk ka dallim në nivelin e rrogave të oficerëve gra dhe burra të policisë në asnjë prej gjashtë vendeve të rajonit, sepse rroga lidhet gjithmonë me pozicionin e punës brenda strukturës së policisë (dhe jo me gjininë).
Vendi | Numri i qytetarëve | Numri i punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme | Numri i oficerëve të policisë (me autoritetin e zbatimit të ligjit) | Rrogat e policisë | Numri i oficerëve të policisë për çdo 100 000 banorë | |
---|---|---|---|---|---|---|
Oficeri i policisë i ri/i nivelit të ulët | Oficeri i policisë i vjetër/i nivelit të lartë | |||||
Shqipëria | 2 846 000 | 15 109 | 11 802 | €406 | €1 401 | 260 |
Bosnja dhe Hercegovina | 3 281 000 | 19 1403 | 15 7774 | €340–460 | €5115 | 481 |
Kosova | 1 873 000 | 10 600 | 8 104 | €447–541 | €569–1 761 | 464 |
Mali i Zi | 621 873 | 721 | 4 680 | €396 | €1 353 | 502 |
Maqedonia e Veriut | 2 083 000 | 12 599 | 9 953 | €380–450 | €360–1 380 | 341 |
Serbia | 8 737 000 | 41 438 | 31 313 | €440 | €2 296 | 435 |
Burimet: Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2021
Për t’i kuptuar më mirë këto rroga, duhet marrë parasysh që rroga minimale në Mal të Zi në vitin 2021 raportohet se është 532 euro, në Maqedoninë e Veriut 360 euro, ndërsa në Serbi 400 euro. Në vitin 2020, rroga mesatare në Kosovë ishte 416 euro,6 ndërsa rroga minimale e policisë në vitin 2021 ishte 447 euro. Kushtet janë edhe më pak tërheqëse në Shqipëri, ku në vitin 2021 rroga minimale e policisë ishte 18% më e ulët sesa paga mesatare në vend.7 Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte edhe më keq: aty rroga minimale e policisë ishte 30% më e ulët sesa mesatarja për vitin 2019.8 Me rritjen e çmimeve, paga minimale shpesh nuk mjafton për të mbuluar nevojat bazë të një familjeje mesatare. Me pak fjalë, rroga bazë e një oficeri policor në shumicën e vendeve të rajonit nuk është tërheqëse.
Për krahasim, rroga mesatare mujore e oficerëve të policisë në Rumani9 ose Slloveni është rreth 1 000 euro në muaj,10 ndërsa rroga bazë e oficerëve të policisë në Hungari është fare pak më e lartë sesa ajo e homologëve të tyre në Ballkanin Perëndimor.11
Rrogat rriten sipas pozitës, arsimit dhe viteve në shërbim. Oficerët mund të paguhen edhe për punë jashtë orarit normal të punës ose kur marrin përsipër detyra me rrezik. Në përgjithësi, rrogat për drejtuesit e rretheve policore janë sa dyfishi i rrogës minimale.
Ia vlen të thuhet se rrogat në përgjithësi janë më të ulëta për policinë kufitare dhe relativisht të larta për policët që punojnë në njësitë e luftës kundër krimit të organizuar. Për shembull, në Serbi (ku rrogat e policisë kanë pasur rritjen më të madhe në rajon), rroga mesatare për dikë që punon në drejtorinë e policisë kufitare është 807 euro në muaj, ndërsa rroga mesatare në njësinë e luftës kundër krimit të organizuar është 1 034 euro. Në Mal të Zi, shifrat janë: 562 euro në muaj për policinë kufitare dhe 784 euro për policët që punojnë në njësinë e luftës kundër krimit të organizuar.
Në përgjithësi, rroga e drejtorëve të policisë në gjithë rajonin luhatet nga 1 200 euro në 1 700 euro në muaj. Është e vetëkuptueshme që drejtori i inspektoratit policor zakonisht merr një rrogë që i afrohet rrogës së nivelit të pozitës më të lartë në hierarkinë e policisë.
Rreziku i korrupsionit
Tek organizatat e policisë në Ballkanin Perëndimor është përhapur mendimi se oficerët paguhen më pak nga sa duhet.12 Strukturat e menaxhimit të policisë dhe sindikatat në të gjashtë vende po bëjnë presion për rritje rrogash me qëllim që të tërhiqen dhe mbahen rekrutët e mirë, të ruhet profesionalizmi i shërbimit të policisë dhe të ulet korrupsioni.
Edhe pse gjatë këtyre viteve të fundit ka pasur rritje rrogash, disa sindikata të policisë argumentojnë se ushtrimi i këtij profesioni është bërë më i rrezikshëm dhe se puna nuk shpërblehet sa duhet.13 Kjo i detyron oficerët e policisë të kërkojnë punë të tjera, më tërheqëse, për të mbajtur familjet. Ata mund të bëjnë edhe punë shtesë, p.sh. si punonjës sigurie në kompanitë e sigurimit. Megjithatë, ekziston rreziku që policët e nënpaguar dhe të pakënaqur mund të korruptohen më lehtë, të përfshihen në konflikte interesi ose të bëjnë marrëveshje të fshehta me grupet kriminale. Një numër rastesh të fundit—duke përfshirë ato në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat i kemi përmendur më lart në këtë buletin—sinjalizojnë dy elemente: korrupsionin e vogël dhe marrëveshjet me grupet kriminale (çka janë më serioze). Kjo vë në rrezik sigurinë e publikut dhe ia bjerr publikut besimin te policia.
Megjithatë, askush nuk duhet të nxitojë e të thotë që rrogat e ulëta ndikojnë te niveli i korrupsionit. Rrogat e larta, në vetvete, nuk mund të forcojnë integritetin. Oficerët e policisë kanë nevojë për kënaqësi nga puna, mundësi për ngritje në karrierë dhe mirënjohje për punën. Më tej, është e rëndësishme të zhvillohen trajnime në etikë dhe të krijohen mekanizma efektivë dhe efikas mbikëqyrjeje me qëllim nxitjen e integritetit. Rrogat e oficerëve të policisë duhet të jenë tërheqëse dhe t’u përgjigjen rreziqeve dhe përgjegjësive që ngërthen puna e tyre. Duke qenë se kriminelët e Ballkanit Perëndimor po modernizojnë teknikat dhe po përforcojnë kontaktet ndërkombëtare, edhe policia e këtij rajoni duhet të bëjë të njëjtën gjë.
Shënime
-
Regional Cooperation Council, Balkan Barometer 2020, Public opinion, prill 2020, https://www.rcc.int/download/docs/2020-06-Balkan-Barometer-Public-Opinion_final.pdf/bf27f9fc10de8a02df9db2b60596f0cd.pdf. ↩
-
Center for Insights in Survey Research, Western Balkans regional poll, shkurt–mars 2020, https://www.iri.org/wp-content/uploads/2020/06/final_wb_poll_for_publishing_6.9.2020.pdf. ↩
-
Të gjitha shifrat për Bosnjën dhe Hercegovinën janë të vitit 2019. Ky është numri i përgjithshëm i oficerëve të policisë në Ministrinë Federale të Sigurisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës Serbe, si dhe numri i oficerëve të policisë nga kantonet dhe nga policia gjyqësore. ↩
-
Numër i përllogaritur i oficerëve të policisë, duke ndjekur raportin matematikor që jepet në Raportin e Progresit të vitit 2021 të KE-së për Bosnjën dhe Hercegovinën. ↩
-
Shifrat për rrogat e policisë në Bosnjë dhe Hercegovinë janë të vitit 2019. Policajci iz BiH se bune zbog malih plaća, uputili zahtjeve, evo koliku osnovicu traže, Radio Sarajevo, 25 shkurt 2022, https://radiosarajevo.ba/vijesti/bosna-i-hercegovina/policajci-iz-bih-se-bune-zbog-malih-placa-uputili-zahtjeve-evo-koliku-osnovicu-traze/448454. ↩
-
Agjencia e Statistikave të Kosovës, Statistikat Sociale: Niveli i pagave në Kosovë 2020, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, https://ask.rks-gov.net/media/6030/niveli-i-pagave-n%C3%AB-kosov%C3%AB-2020.pdf. ↩
-
Instituti i Statistikave i Shqipërisë, Statistikat e Pagave, Tremujore IV/2021, 10 mars 2022, http://www.instat.gov.al/media/9660/pagat_press_release-t4_-2021-altcom.pdf. ↩
-
Average Monthly Net Salary in Bosnia and Herzegovina is 945 BAM, Sarajevo Times, 16 mars 2020, https://sarajevotimes.com/average-monthly-net-salary-in-bosnia-and-herzegovina-is-945-bam/. ↩
-
Average Salary In Romania, Career Explorer, 11 janar 2022, https://careerexplorerguide.com/average-salary-in-romania/. ↩
-
Police Officer Average Salary in Slovenia 2022, Salary Explorer, https://www.salaryexplorer.com/salary-survey.php?loc=198&loctype=1&job=504&jobtype=3. ↩
-
John Woods, Hungarian police officers’ starting salary is lower than 520 EUR/month!, Daily News Hungary, 11 maj 2022, https://dailynewshungary.com/hungarian-police-officers-starting-salary-is-lower-than-520-eur-month/. ↩
-
Oznaka: Niske plate policijskih službenika, Raport, https://raport.ba/tag/niske-plate-policijskih-sluzbenika/. ↩
-
Protest policijskih službenika u BiH: ‘Prosječna plata nam je 665 KM’, Fokus, 17 mars 2021, https://www.fokus.ba/vijesti/bih/protest-policijskih-sluzbenika-u-bih-prosjecna-plata-nam-je-665-km/2021136/. ↩