Rritet popullariteti i rrugëve detare për trafikimin përmes Ballkanit.

Rajoni i Ballkanit është urë natyrore ku zhvillohet tregtia e ndërsjellë midis Afrikës dhe Azisë nga njëra anë dhe Evropës nga ana tjetër. Historikisht, tregtia në rajon është kryer kryesisht nëpërmjet rrugëve tokësore. Por ai që rrallë merret parasysh është fakti që ka një numër portesh relativisht të mëdha përgjatë bregdetit të Detit Adriatik, Detit Jon, Detit Egje dhe Detit të Zi, si dhe përgjatë Danubit.

Pjesa dërmuese e infrastrukturës së këtyre porteve u dëmtua me rënien e komunizmit dhe me luftërat në Jugosllavi në vitet 1990 dhe, më vonë, nga kriza financiare e vitit 2008. Megjithatë, rritja e investimeve, sidomos nga Bashkimi Evropian dhe Kina, po e përmirëson infrastrukturën e porteve në rajon, duke rritur kështu madhësinë dhe efikasitetin e porteve të anijeve të kontejnerëve dhe të lidhjeve rrugore dhe hekurudhore që nevojiten për t’i sjellë mallrat në tregje të ndryshme. Rastet kryesore të sekuestrimit të drogës dhe cigareve në portet rajonale gjatë disa viteve të fundit tregojnë se këta faktorë po i bëjnë këto porte më tërheqëse edhe për zhvillimin e kontrabandës drejt Ballkanit Perëndimor.

Rritja e sasisë së kokainës, heroinës dhe drogave sintetike

Siç është analizuar në hulumtime të mëparshme të GI-TOC-së, grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor merren me kontrabandim droge — sidomos kokaine — nga Amerika Latine drejt Evropës perëndimore, në anije kontejnerësh dhe në jahte. Në Evropën juglindore, tipi kryesor i “krimit blu” (d.m.th. ekonomia kriminale detare) është trafikimi i kokainës dhe heroinës.1

Afërsia e rajonit me tregjet konsumatore të mëdha dhe joshëse të Evropës Perëndimore, lidhjet e tij me Afrikën e Veriut dhe me Turqinë, si dhe rritja e vëllimit tregtar nga Amerika Latine dhe Azia, të gërshetuara me dobësitë që paraqet korrupsioni, krijojnë kushtet ideale ku rrjetet kriminale mund të merren me këtë lloj trafikimi. Që t’i japim lexuesit një ide për sasinë për të cilën bëhet fjalë, gjatë periudhës 2018-2021, në portet e Ballkanit Perëndimor, u sekuestruan rreth 8 tonë kokainë, ku gjysma u sekuestrua në portin e Pireut (Greqi), Durrësit (Shqipëri) dhe Konstancës (Rumani).2 Megjithatë, kokaina nuk është e vetmja drogë që hyn në këtë rajon përmes porteve. Në portet rajonale sekuestrohen rregullisht edhe sasi heroine dhe, së fundmi, edhe droga sintetike.3

Në figurën 1 tregohet se heroina hyn në rajon nëpërmjet dy porteve kryesore: Varnës (Bullgari) dhe Koperit (Slloveni). Porti i Varnës është edhe pikë hyrjeje nga Deti i Zi për të kaluar te rruga tokësore tradicionale ballkanike dhe, më pas, në Evropën Perëndimore. Për shembull, në shkurt të vitit 2021, zyrtarët e doganës bullgare konfiskuan më shumë se 400 kilogramë heroinë në një anije që transportonte mallra nga Irani. Droga ishte ndarë në 487 pako, të fshehura në mes të rrotullameve të asfaltit që ishin ngarkuar në anije. Kjo dërgesë, me shumë mundësi, ishte mjaft e madhe për tregun bullgar.4 Porti i Koperit, nga ana tjetër, është pikë ideale hyrjeje për rrjetet që mundohen të shmangin kapërcimin e Ballkanit në rrugë tokësore. Anijet me kontejnerë vijnë nga Turqia dhe Irani duke shmangur gjithë rajonin dhe dërgohen drejt e te portat e Evropës Perëndimore. Në bazë të informacioneve rreth operacioneve të policisë kundër drogës në portin e Koperit, del se autoritetet sllovene kanë konfiskuar më shumë se një ton heroinë gjatë katër viteve të fundit.5

Në portet rajonale po rritet numri i rasteve të sekuestrimit të drogave sintetike të destinuara për tregjet evropiane. Amfetamina nga Siria, Sri Lanka dhe India, të nisura drejt Evropës ose Libisë, fshihen në mënyra të ndryshme, p.sh. futen në kontejnerë me çarçafë, batanije dhe peshqirë. Ato që përbëjnë shqetësim të veçantë për autoritetet janë amfetaminat “kaptagon”, të cilat quhen ndryshe edhe “droga e xhihadistit”. Për shembull, në vitin 2019, në tri anije kontejnerësh që vinin nga Siria dhe ishin nisur për në Kinë nëpërmjet portit të Pireut u gjetën 23 milionë hape kaptagoni.6

Prurjet e paligjshme nëpërmjet rrugëve detare të Ballkanit.

Figura 1 Prurjet e paligjshme nëpërmjet rrugëve detare të Ballkanit.

Burimi: Ruggero Scaturro dhe Walter Kemp, Portholes: Exploring the maritime Balkan routes GI-TOC, korrik 2022, https://globalinitiative.net/analysis/balkans-maritime-routes-ports-crime/

Aktorët kriminalë vendorë dhe të huaj

Nëse përdorim klasifikimin që përdoret në Indeksin Global të Krimit të Organizuar të GI-TOC-së, aktorët kriminalë që mund të shfrytëzojnë rrugët detare në Ballkan mund t’i ndajmë në katër tipa: rrjete kriminale, aktorë të lidhur me shtetin, grupet e stilit mafioz dhe aktorë të huaj.8 Rrjetet kriminale janë të pranishme në porte të tilla si portet e Koperit, Rijekës dhe Ploçes, ku veprojnë herë pas here celula të atij që Europoli dhe mediet e quajnë “kartel Ballkanik”. Një prej avantazheve kryesore të kësaj shoqate kriminale është mungesa e pengesave gjuhësore dhe kulturore midis boshnjakëve, kroatëve, malazezëve dhe serbëve.

Me termin “aktorë të lidhur me shtetin” që përdoret në Indeks, nënkuptohen aktorët kriminalë që veprojnë nga brenda aparatit shtetëror. Historikisht, porti i Barit është njohur si portali evropian për kontrabandimin e cigareve, tregti kjo që është mbështetur dhe lehtësuar nga zyrtarë të nivelit të lartë dhe elitat politike. Një tjetër shembull është Varna, ku skandalet e korrupsionit, pretendimet për abuzime me fondet dhe për pastrim parash janë elemente që karakterizojnë historinë e kohëve të fundit të administratës portuale.

Së treti, “grupet e stilit mafioz” janë grupe kriminale që kanë drejtues të përcaktuar dhe kontroll mbi një territor. Në Evropën Juglindore (EJL), portet tregtare si ata të Barit, Durrësit dhe Rijekës, bëjnë pjesë në zonën tradicionale të ndikimit kriminal, e cila mbulohet nga grupe lokale të mirëpërcaktuara të stilit mafioz.

Së katërti, termi “aktorë të huaj” nënkupton aktorët kriminale që veprojnë jashtë vendit të tyre dhe përfshijnë grupet në diasporë të cilët kanë hedhur rrënjë në vende të tjera ndër breza. Kjo e dhënë e fundit çon peshë sidomos për portet greke të Pireut dhe Selanikut, ku raportohet se shqiptarët etnikë, me pasaporta greke, kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut të kokainës. Në varësi të komoditetit të paligjshëm, si shembuj të tjerë të aktorëve të huaj që janë aktiv në rrugët detare të Ballkanit mund të përmendim edhe grupet kriminale italiane në Rijekë dhe Pire, malazezët dhe serbët në Koper, serbët në Konstancë dhe serbët e turqit në Varnë. Në fakt, portet e fundit janë magnet për grupet kriminale që veprojnë në shtetet e rrethuara nga toka në Ballkanin Perëndimor.

Përqendrimi te prurjet

Shqetësimet për trafikimin në rrugë detare priren të çojnë në rritjen e sigurisë në porte. Megjithatë, ndërtimi i gardheve më të larta dhe instalimi i më shumë skanerëve dhe kamerave nuk janë tjetër veçse një pjesë e zgjidhjes. Tregtia që realizohet me anë të anijeve kontejnerësh zakonisht është ndërkombëtare. Mallrat e paligjshme që transportohen drejt Evropës Juglindore me anije kontejnerësh shpesh vijnë nga larg, p.sh. nga Amerika Latine, Afrika e Veriut ose Azia. Prandaj, për ta kuptuar dhe goditur tregtinë e paligjshme, për realizimin e së cilës përdoren rrugë dhe modalitete të ligjshme, lipset të ketë bashkëpunim ndërkombëtar. Portet duhet të shihen si hallka të një zinxhiri më të madh, dhe jo thjesht si pika të izoluara.

Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj përpara gjatë 20 vjetëve në drejtim të përmirësimit të sigurisë portuale, në përputhje me Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijeve dhe Porteve (NSAP), falë mbështetjes ndërkombëtare të organizatave si Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin, Europoli dhe ndihma dypalëshe. Megjithatë, masat që parashikohen në kodin NSAP dhe që mund të ulin disa prej rreziqeve të veprimtarive kriminale, nuk u kushtojnë vëmendje prurjeve të mallrave me anije kontejnerësh, edhe pse në këto anije përqendrohet pjesa më e madhe e veprimtarive kriminale.17

Tani për tani, ka bashkëpunim të pamjaftueshëm në radhët e ofruesve të shërbimit të sigurisë brenda dhe midis porteve, për shembull midis agjencive doganore. Ky bashkëpunim mund të përmirësohet duke krijuar grupe pune të përbashkëta ose njësi të përbashkëta për kontrollin e portit, duke angazhuar zyrtarët e ndërlidhjes (nga vendet fqinje, vendet furnizuese dhe/ose organizatat përkatëse ndërkombëtare) dhe duke përdorur në mënyrë më efikase teknikat e hetimit special.

Më tej, ka një mospërputhje midis atyre që janë përgjegjës për sigurinë portuale dhe agjencive ligjzbatuese që merren me krimin e organizuar. Kjo mund të zgjidhet duke u përqendruar më shumë te siguria detare, në kuadër të vlerësimeve të kërcënimeve nga krimi i organizuar; duke shkëmbyer informacione për teknikat e fshehjes dhe ndalimit, si dhe për grupet kriminale që veprojnë në rrugët detare të Ballkanit; duke bashkëndarë të rejat më të fundit rreth prodhimit të drogës dhe mekanizmave të furnizimit; dhe duke vënë në dispozicion raporte përmbledhëse rreth prirjeve tregtare dhe mënyrës se si këto mund të ndikojnë te veprimtaritë e paligjshme. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme të krijohet një bazë e përbashkët të dhënash, me qëllim gjurmimin e sekuestrimeve, arrestimeve dhe aktorëve kriminalë që veprojnë në rrugët detare të Ballkanit.

Kur në një port ka korrupsion, as sistemi më i mirë në botë i sigurisë nuk ka kurrfarë dobie. Prandaj, është e rëndësishme që të merren masa për forcimin e integritetit. Digjitalizimi mund të ulë rastet e korrupsionit, por ekziston mundësia që të ketë infiltrime në programet kompjuterike me qëllim uljen e mundësisë së zbulimit të mallrave që janë fshehur në kontejnerë. Deri më tani, inteligjenca artificiale nuk ka përparuar deri në atë pikë sa të zëvendësojë zyrtarët me përvojë të doganave dhe të agjencive ligjzbatuese që mund të nuhasin kërcënimin kur bëjnë analizat e kërcënimit. Me një fjalë, teknologjia duhet të konsiderohet si aset i mundshëm për përmirësimin e sigurisë në porte, por jo si ilaç që i shëron të gjitha sëmundjet.

Ky artikull mbështetet në kërkimin e bërë në kuadër të studimit Portholes: Exploring the maritime Balkan routes, studim i ri ky, i realizuar për GI-TOC-në nga Ruggero Scaturro dhe Walter Kemp dhe i botuar në korrik të vitit 2022. Mund ta gjeni në: https://globalinitiative.net/analysis/balkans-maritime-routes-ports-crime/.

Shënime

  1. Walter Kemp, Transnational tentacles: Global hotspots of Western Balkan organized crime, GI-TOC, korrik 2020, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/07/Transnational-Tentacles-Global-Hotspots-of-Balkan-Organized-Crime-ALBANIAN_MRES.pdf; SIPRI, The Black Sea: Engaging in dialogue and combatting nuclear smuggling, https://www.sipri.org/research/conflict-peace-and-security/europe/black-sea-engaging-dialogue-and-combatting-nuclear-smuggling; Ben Crabtree, Black Sea: A rising tide of illicit business?, GI-TOC, 1 prill 2020, https://globalinitiative.net/analysis/black-sea-illicit-flows/

  2. Shih për shembull: Albania seizes 613 kilos of Colombia cocaine, holds two, Reuters, 28 shkurt 2018, https://www.reuters.com/article/us-albania-cocaine-idUSKCN1GC2KY; Romania seizes record 2.5 tons of Colombian cocaine, 5 held, Reuters, 1 korrik 2016, https://www.reuters.com/article/us-colombia-drugs-romania-idUSKCN0ZH4X1; Hellenic Republic Ministry of Citizen Protection, Κατασχέθηκαν -35- κιλά κοκαΐνης σε εμπορευματοκιβώτιο στο λιμάνι του Πειραιά, 23 dhjetor 2020, http://www.astynomia.gr/index.php?option=ozo_content&lang=%27..%27&perform=view&id=99409&Itemid=2565&lang

  3. Intervistë me një ekspert për kontrollin dhe sigurinë e kontejnerëve në EJL, dhjetor 2021. 

  4. Associated Press, Bulgarian prosecutors say heroin found in cargo from Iran, ABC News, 16 shkurt 2021, https://abcnews.go.com/International/wireStory/bulgarian-prosecutors-heroin-found-cargo-iran-75923810

  5. T R, Še pomnite zaseg 300 kg heroina v luki Koper? Tožilstvo spisalo obtožbo, dvojica še vedno na begu, Regional, 10 shtator 2019, https://www.regionalobala.si/novica/se-pomnite-zaseg-300-kg-heroina-v-luki-koper-tozilstvospisalo-obtozbo-dvojica-se-vedno-na-begu; Ministry of the Interior of the Republic of Slovenia, The biggest seizure of heroin in Slovenia result of the cooperation of the Slovene and Hungarian police units and financial administration, 13 nëntor 2019, https://www.policija.si/eng/newsroom/news-archive/101619-the-biggest-seizure-of-heroin-in-slovenia-result-of-the-cooperation-of-the-slovene-and-hungarian-police-units-and-financial-administration-press-release; dhe R K, V Luki Koper zasegli več kot 200 kilogramov heroina, Siol, 16 qershor 2021, https://siol.net/novice/slovenija/v-luki-koper-zasegli-vec-kot-200-kilogramov-heroina-554783

  6. Piraeus counterfeit Captagon amphetamine haul in the millions, Ekathimerini, 2 korrik 2019, https://www.ekathimerini.com/news/242107/piraeus-counterfeit-captagon-amphetamine-haul-in-the-millions/

  7. Dajkó Ferenc Dániel, A tapasztalt nyomozók is megdöbbentek a csempészcigi mennyiségén - videó a cikkben, Növekedés, 10 nëntor 2021, https://novekedes.hu/nav-infotar/a-tapasztalt-nyomozok-is-megdobbentek-a-csempeszcigi-mennyisegen-video-a-cikkben

  8. Për më shumë informacione në lidhje me Indeksin Global të Krimit të Organizuar, vizitoni faqen: https://globalinitiative.net/analysis/ocindex-2021/

  9. Preko Luke Bar se prokrijumčari više od 2 milijarde cigareta, RTCG, 23 mars 2022, https://www.rtcg.me/vijesti/crna_hronika/356456/preko-luke-bar-se-prokrijumcari-vise-od-2-milijarde-cigareta.html

  10. Informacija o potrebi pokretanja postupka isključenja ili zabrane skladištenja duvanskih proizvoda iz oblasti Slobodne zone Luke Bar, Vlada Crne Gore, 1 korrik 2021, https://www.gov.me/dokumenta/330dabd9-4bf3-4c86-ae35-953aef0c908f; Informacija o potrebi pokretanja postupka isključenja ili zabrane skladištenja duvanskih proizvoda iz oblasti Slobodne zone Luke Bar – zaključci, Vlada Crne Gore, 22 korrik 2021, https://www.gov.me/dokumenta/f712b171-b04c-4434-bc40-22e3032edb6d

  11. Intervistë me një oficer të sigurisë portuale në Tivar, Mali i Zi, dhjetor 2021. 

  12. Jelena Jovanović dhe Biljana Matijašević, Plijene milionski vrijedne cigarete iz Luke Bar, 14 maj 2022, https://www.vijesti.me/vijesti/crna-hronika/604097/plijene-milionski-vrijedne-cigarete-iz-luke-bar

  13. Intervistë me një gazetar investigativ në Podgoricë, Mali i Zi, korrik 2022. 

  14. ‘Očekujemo da Crna Gora uništi ili ukloni cigarete zaplijenjene u Luci Bar’, RTCG, 27 korrik 2022, https://www.rtcg.me/vijesti/ekonomija/371918/ocekujemo-da-crna-gora-unisti-ili-ukloni-cigarete-zaplijenjene-u-luci-bar.html

  15. Framework Convention on Tobacco Control, Protocol to eliminate illicit trade in tobacco products, World Health Organization, 2013, https://fctc.who.int/publications/i/item/9789241505246

  16. Intervistë me një përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Podgoricë, Mali i Zi, korrik 2022. Shih edhe: Predrag Tomović, Prodaja zaplijenjenih cigareta komplikuje evropske integracije Crne Gore, Radio Slobodna Evropa, 28 korrik 2022, https://www.slobodnaevropa.org/a/zaplijenjene-cigarete-prodaja-crna-gora-sverc/31963479.html

  17. Intervistë online me menaxherin e sigurisë portuale për një port të SHBA-së, tetor 2021.