Arrestimet ndaj oficerëve të policisë në Kosovë sinjalizojnë praninë e kulturës së marrjes së ryshfetit në radhët e policisë dhe një sistem të fuqishëm hetimi të brendshëm në Inspektoratin Policor.
Në gjysmën e dytë të vitit 2022, 5% e policisë kufitare të Kosovës u arrestua si shkak i një numri operacionesh kundër korrupsionit. Nga raportet e fundit duket se ka një prirje në rritje të ankesave kundër policisë. Çfarë nxjerrin në dritë këto raste për Policinë e Kosovës dhe për ata që e mbikëqyrin?
Në Policinë e Kosovës, e themeluar në vitin 1999, aktualisht janë të punësuar 9 070 veta, nga të cilët 8 104 janë me uniformë, ndërsa 968 janë civilë.1 Policia gëzon reputacion të mirë në sytë e popullit të Kosovës: midis periudhës 2015-2021, policia është perceptuar si organizata më pak e korruptuar në vend,2 dhe institucioni i dytë më i besuar pas Forcës së Sigurisë të Kosovës.3
Policia mbikëqyret nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i themeluar në vitin 2006, si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aktualisht, në IPK janë punësuar 93 vetë, nga të cilët gjysma punojnë në Departamentin e Hetimit.4 IPK kontribuon në sigurimin e llogaridhënies dhe transparencës në polici kryesisht nëpërmjet parandalimit, zbulimit, dokumentimit dhe hetimit të veprave penale dhe inspektimit të strukturave dhe funksioneve të policisë.
Në maj të vitit 2021, IPK-ja, në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), nisi një hetim ndaj oficerëve të policisë që punojnë në dy pikat e kalimit kufitar midis Kosovës dhe Shqipërisë, d.m.th. në Qafë Prush dhe në Qafë Morinë.5 Së bashku me pikën e kalimit kufitar Vermicë-Morinë, këto pika të kalimit kufitar janë identifikuar më përpara nga GI-TOC-ja si zona problematike të trafikimit të drogës.6 Hetimi u nis mbështetur në informacione nga një burim i besueshëm, ku thuhej se drogat (kryesisht kanabis) po trafikoheshin përmes dy pikave të kalimit kufitar, me mbështetjen e oficerëve të policisë kufitare, të cilët siguronin transportin deri në Mitrovicën e Veriut.7 Në videot e incizuara me kamera të fshehta paraqiten zyrtarë të policisë kufitare që janë përfshirë në veprimtari kriminale, duke përfshirë më shumë se 400 raste marrjeje ryshfeti dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.8 Hetimi çoi në arrestimin e 48 oficerëve të policisë kufitare dhe të dy oficerëve të doganës në 14 mars 2022,9 duke përfshirë gjithë ekipin prej 19 zyrtarësh që punonin në pikën e kalimit kufitar në Qafë Prush.
Gjatë mbikëqyrjes, IPK-ja konstatoi parregullsi edhe në pikën tjetër të përbashkët të kalimit kufitar me Shqipërinë në Vermicë-Morinë. Duke qenë se pika e kalimit kufitar ndodhet në territorin e Shqipërisë, IPK-ja punoi me PSRK-së, me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion të Shqipërisë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për të realizuar një hetim të përbashkët.10 Ky hetim u realizua në përputhje me një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes policore11 dhe një protokolli për inspektime të përbashkëta, të nënshkruar nga autoritetet kosovare dhe shqiptare.12
Nisur nga mënyra se si u realizua operacioni, na u bë e qartë se kishte një shkallë të lartë profesionalizmi. U formua një grup pune me 12 hetues, të cilët punuan në një sallë të veçuar brenda Inspektoratit dhe i raportonin vetëm drejtuesit të grupit të punës dhe drejtorit të IPK-së. Fakti që integriteti i procesit u ruajt pavarësisht përfshirjes së gjashtë institucioneve të dy shteteve të lë të kuptosh që ka pasur bashkëpunim të ngushtë dhe disiplinë të kënaqshme ndërmjet atyre që morën pjesë në këtë hetim.13
Operacioni i përbashkët përfundoi në datën 8 prill 2022 me arrestimin e 58 oficerëve të policisë kufitare. 26 oficerë të policisë kufitare të Kosovës, duke përfshirë dy rreshterë, u arrestuan në Kosovë,14 kurse autoritetet shqiptare arrestuan 32 oficerë të policisë kufitare në bazë të dyshimeve për marrje ryshfeti në më shumë se 312 raste.15 Incizimet me kamerat e mbikëqyrjes tregojnë oficerë të policisë kufitare që marrin 10-20 euro ryshfet nga qytetarët që nuk kishin dokumentet e duhura për të udhëtuar dhe/ose për mallrat në lëvizje.16
Foto: Inspektorati Policor i Kosovës
Sipas IPK-së, në shumicën e rasteve, zyrtarët e arrestuar vepronin vetëm. Në pak raste, ata bashkëpunonin me njeri-tjetrin dhe vepronin bashkë, por nuk ka shenja që tregojnë se janë përfshirë me grupet e krimit të organizuar.17 Ia vlen të theksohet se mosha mesatare e zyrtarëve të arrestuar ishte 50 vjeç, çka nënkupton se ndoshta ka ardhur koha për të ndërruar brezin e policëve me policë të rinj.18
Hetimi ndaj oficerëve të policisë, 2016-2021
Arrestimet e kohëve të fundit nuk janë diçka e pazakontë. Shifrat e pesë viteve të fundit tregojnë se kundër oficerëve të Policisë së Kosovës janë ngritur rreth 100 padi penale çdo vit, të cilat kanë rezultuar në pezullimin dhe madje arrestimin e disa oficerëve.19
Burimi: Inspektorati Policor i Kosovës
Çdo vit midis viteve 2016-2021 është hetuar rreth 2,7% e personelit të Policisë së Kosovës. 38% e këtyre hetimeve kanë qenë për vepra penale, ndërsa 62% kanë qenë shkelje të disiplinës.
Burimi: Inspektorati Policor i Kosovës
Që prej vitit 2019, numri i ankesave që i paraqiten IPK-së është rritur dukshëm. Në vitin 2021, janë paraqitur më shumë se 2 000 të tilla. Kjo rritje vjen kryesisht si pasojë e rritjes së vetëdijes së publikut për nevojën e raportimit të rasteve dhe rritjes së besimit tek IPK-ja si dhe për shkak të rritjes së veprimtarisë dhe gjobave të policisë në lidhje me pandeminë “kovid-19”.
Nga viti 2016 deri në vitin 2021, Departamenti për Menaxhimin e Ankesave dërgoi 3 535 raste në Departamentin e Hetimeve, nga të cilat vetëm 29% u përcollën me hetime penale, 48% iu transferuan Policisë së Kosovës për hetime administrativo-disiplinore, ndërsa 23% u hetuan paraprakisht përpara se të transferoheshin vitin e radhës. Kjo ka dy pasoja: Së pari, të paktën 48% e ankesave/rasteve të transferuara nga Departamenti për Menaxhimin e Ankesave nuk plotësonin kushtet për hetim penal ose janë hedhur poshtë nga Departamenti i Hetimit. Së dyti, IPK-ja ka realizuar hetime për vepra penale në më pak se 20% të ankesave që ka pranuar.20 Më tej, ia vlen të theksojmë që hetimet e realizuara kundër oficerëve të Policisë së Kosovës rrallë kanë të bëjnë me ryshfetin. Përkundrazi, në bazë të shifrave të periudhës 2019-2021, shumica e ankesave janë ngritur për shkak të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të lëndimeve të lehta trupore dhe keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.21
Mesatarisht, 13% e oficerëve të hetuar janë nga Departamenti i Kufirit, ndërsa 80% nga Departamenti i Operacioneve. Ia vlen të përmendim se shumica (76%) e të hetuarve janë oficerë të nivelit të ulët, ndërsa vetëm 10% janë rreshterë. Kjo tregon se subjekt hetimi janë kryesisht zyrtarët e nivelit të ulët të hierarkisë së policisë.22
Hapat për forcimin e integritetit
Dy rastet e fundit që çuan në arrestimin e 5% të zyrtarëve të policisë kufitare të Kosovës lënë të kuptohen disa gjëra. Së pari, duket se ekziston një kulturë marrjeje ryshfeti në radhët e zyrtarëve të policisë kufitare, çka dobëson besimin e publikut te Policia dhe mbështetjen ndaj saj. Edhe pse pjesa më e madhe e ryshfeteve ishin të vogla për nga shuma, në të shkuarën ka pasur raste më serioze të bashkëpunimit me grupe kriminale.
Së dyti, sistemi i brendshëm i hetimit duket se punon mirë: IPK-ja punoi me efikasitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e tjera, duke përfshirë edhe ato të Shqipërisë. Ndonëse IPK-ja meriton mbështetje të mëtejshme në blerjen e pajisjeve dhe mjeteve hetimore, më shumë vëmendje duket t’i kushtohet parandalimit, sidomos nëpërmjet forcimit të integritetit në radhët e brezit të ri të personelit të zbatimit të ligjit.
Mund të ketë hapësirë më të madhe për përdorimin e teknologjinë në drejtim të forcimit të integritetit dhe profesionalizimit të policisë kufitare. Puna aktuale në hartimin e ligjit për pagat në sektorin publik dhe me ndryshimin e ligjeve për Policinë dhe Inspektoratin Policor, do duhej të ju ofronte paga konkurruese zyrtarëve të Policisë dhe të Inspektoratit Policor si dhe masa për përmirësimin e reputacionit, trajnime, llogaridhënies dhe integritetit të policisë. Në gjë e tillë do të ndihmonte për të siguruar që Policia e Kosovës të vazhdojë të jetë një prej institucioneve më të respektuara në vend. Kështu, burimet nuk do të përdoreshin për të monitoruar policinë, por kriminelët.
Shënime
-
Policia e Kosovës, Raporti vjetor i punës i policisë së Kosovës, https://www.kosovopolice.com/wp-content/uploads/2022/03/RAPORTI-VJETOR-I-PUN%C3%8BS-I-POLICIS%C3%8B-S%C3%8B-KOSOV%C3%8BS_shqip.pdf. ↩
-
UNDP Kosovo, Public Pulse Brief XXI, nëntor 2021, https://www.ks.undp.org/content/kosovo/en/home/library/democratic_governance/public-pulse-brief-xxi.html. ↩
-
Kosovar Centre for Security Studies, Citizen perceptions of integrity of public institutions in Kosovo, Western Balkans Security Barometer Survey in Kosovo, janar 2022, https://qkss.org/images/uploads/files/Barometer_2021Kosovo_1_ENG%281%29_%281%29.pdf ↩
-
Ministria e Punëve të Brendshme, Number of employees at MIA, 2022; Inspektorati Policor i Kosovës, Raporti vjetor 2021, https://ipk.rks-gov.net/Medias/Raporti-Vjetor-2021-IPK-AL-35e2d7f9-41f5-4c66-9294-56c2306b85ff.pdf. ↩
-
Pika e kalimit kufitar në Qafë Prush lidh rajonin e Gjakovës në Kosovë me Bajram Currin në Shqipëri, ndërkohë që pika e kalimit kufitar në Qafë Morinë lidh rajonin e Gjakovës me Kukësin dhe Krumën në Shqipëri. ↩
-
Walter Kemp, Kristina Amerhauser dhe Ruggero Scaturro, Spot Prices: Analyzing flows of people, drugs and money in the Western Balkans, GI-TOC, maj 2021, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2021/05/Hotspots3_PR_AL.docx. ↩
-
Intervistë me një zyrtar të IPK-së, 21 prill 2022. ↩
-
Po aty.; IPK, Operacioni “Pika” vë në pranga 48 zyrtarë policorë dhe 2 (dy) zyrtarë doganorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, 14 mars 2020, https://www.facebook.com/InspektoratiPolicoriKosoves/posts/pfbid02Ti91dxaPhiGr9Jh2J5kyV7WuLZQhfVnf4HpCfKfZYg1CE851uRTg5jswoCb1P6Epl. ↩
-
IPK, Operacioni ‘Pika’ vë në pranga 48 zyrtarë policorë dhe 2 (dy) zyrtarë doganorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, 14 mars 2020, https://www.facebook.com/InspektoratiPolicoriKosoves/posts/pfbid02Ti91dxaPhiGr9Jh2J5kyV7WuLZQhfVnf4HpCfKfZYg1CE851uRTg5jswoCb1P6Epl. ↩
-
Po aty. ↩
-
Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, 23 mars 2015, https://www.kosovopolice.com/wp-content/uploads/2021/04/Memorandum-bashk%C3%ABpunimi-n%C3%AB-mes-t%C3%AB-MPB-t%C3%AB-Republik%C3%ABs-s%C3%AB-Kososv%C3%ABs-dhe-MPB-t%C3%AB-Republik%C3%ABs-s%C3%AB-Shqip%C3%ABris%C3%AB-mbi-forcimin-e-bashk%C3%ABpunimit-n%C3%AB-fush%C3%ABn-e-kontrollit-t%C3%AB-brendsh%C3%ABm.pdf. ↩
-
IPK, IPK nënshkruan protokoll për inspektim të përbashkët në mes të IPK-së dhe SHÇBA-së të Shqipërisë, 15 prill 2016, https://m.facebook.com/media/set/?vanity=118093578321087&set=a.815137638616674. ↩
-
Intervistë me një zyrtar të IPK-së, 21 prill 2022. ↩
-
IPK, Operacioni ‘Pika 2’ vë në pranga 26 zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, 8 prill 2022, https://www.facebook.com/InspektoratiPolicoriKosoves/posts/pfbid02XHrdjS5jTnmH3XCXsYnPs515T7AqrH95GSioNWiVNr1peydABpy6Grey3d1U51Bol. ↩
-
Aksioni në Morinë/ Evidentohen 312 raste korruptive, SPAK çon në burg 17 policë, pezullohen 3 të tjerë, Top Channel, 8 prill 2022, https://top-channel.tv/2022/04/08/korrupsion-dhe-kontrabande-ne-kufirin-shqiperi-kosove-spak-njoftim-zyrtar-arrest-me-burg-per-17-police1/. ↩
-
‘Do qesësh kafe’, zbardhen përgjimet e policëve, TV Klan, 10 prill 2022, https://www.youtube.com/watch?v=XqIkrTtwk70. ↩
-
Intervistë me një zyrtar të IPK-së, 21 prill 2022. ↩
-
IPK, Annual Reports for 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 and 2021, https://ipk.rks-gov.net/Reports/AnnualReports. ↩
-
Detaje nga arrestimi I 59 zyrtarëve policorë për marrje ryshfeti [Raport I KTV-së], Koha Ditore, 19 dhjetor 2016, https://archive.koha.net/?id=3&l=148072. ↩
-
IPK, Raportet vjetore 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 and 2021, https://ipk.rks-gov.net/Reports/AnnualReports. ↩
-
IPK, Raportet vjetore 2019, 2020 and 2021, https://ipk.rks-gov.net/Reports/AnnualReports.. ↩
-
Policia e Kosovës, Decisions for disciplinary measures 2016–2021, Email, 21 prill 2022. ↩