Kur sfungjeri të mbarojë së thithuri: Ukraina pas konfliktit paraqet rrezik të madh për trafikimin e armëve të zjarrit.

Siç është shënuar në një raport të GI-TOC-së, “që prej shkurtit të vitit 2022, në Ukrainë kanë mbërritur sasi të jashtëzakonshme armësh”. Në raport thuhet: “duke marrë parasysh historikun e Ukrainës me trafikimin e armëve […] rreziku i trafikimit të armëve është sinjalizuar nga Europoli që në ditët e para të luftës”.1

Shumë burime të GI-TOC-së tregojnë se në Ukrainë qarkullojnë armë të vogla, madje edhe drejt tregut të paligjshëm, por të pakta janë shenjat që tregojnë se armët po dalin jashtë vendit. Nga hulumtimet në terren, të kryera nga GI-TOC-ja në disa vende evropiane, ka dalë se çmimet e armëve në tregun e zi janë të larta për shkak të luftës në Ukrainë, për shkak të kërkesave të trafikantëve të drogës të vendeve nordike që trafikojnë drogë drejt rajonit të Detit të Zi dhe për shkak të kërkesave të qytetarëve të shqetësuar që jetojnë në vendet fqinje të Ukrainës dhe që po armatosen nga frika se mos konflikti përhapet në vendet e tyre.

Në mars të vitit 2022, Europoli raportonte se aktualisht vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe jo Ukraina, janë pika kryesore e hyrjes së armëve të zjarrit drejt BE-së.2 Pavarësisht kësaj, nga historiku i konflikteve të mëparshme del se ekziston rreziku i lartë i trafikimit të armëve nga Ukraina pas mbarimit të konfliktit. Rastet e kohëve të fundit, ku përfshihen Afganistani dhe Libia, përbëjnë një precedent për këtë, ndërsa periudha e pasluftës në vendet e Ballkanit Perëndimor shërbejnë për të dhënë një alarm të fortë.

Në vitet 1990, pas luftërave emblematike të ndarjes së Jugosllavisë, rajoni u përmbyt nga armët dhe ranë në duart e terroristëve dhe grupeve kriminale në Evropë dhe në duart e kryengritësve të ndryshëm në pjesët e largëta të botës. Edhe sot e kësaj dite, grupet kriminale përdorin armë dhe granata të kohës së ish-Jugosllavisë madje edhe në vende si Suedia.

Ka shenja që tregojnë se në Ukrainë ka armë me bollëk. Nga regjistri i Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës për veprat penale të kryera me armë zjarri dhe municion, del se krimet e kryera me armë zjarri ishin rritur dhjetëfish në vitin 2022: nga 720 që ishin në vitin 2020 në 7 mijë e 3 në vitin 2022.3

Ekzistojnë kushtet

Kur sfungjeri të mbarojë së thithuri dhe armët të fillojnë të vërshojnë jashtë zonës së luftës, atëherë do të ekzistojë rreziku real që një pjesë e këtyre armëve të trafikohen nëpërmjet rrugëve ekzistuese Ballkanike. Kuptohet që portet e Detit të Zi, si Varna (Bullgari) dhe Konstanca (Rumani) do të ishin pika daljeje, por të tilla do të ishin edhe portet e Polonisë, Sllovakisë, Moldavisë, Hungarisë dhe ato të Kroacisë dhe Sllovenisë në Adriatik. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen rrugë tërheqëse për trafikimin e armëve drejt veriut dhe perëndimit.

Rruga Ballkanike dhe grupet e krimit të organizuar të Evropës Juglindore njihen për veprimtaritë e tyre kriminale të shumëllojshme, si kontrabandimi i njerëzve, drogës dhe armëve, sidomos drejt BE-së.4 Përfundimi i konfliktit dhe ardhja e paqes në Ukrainë do të gjejë infrastrukturën dhe rrjetet e nevojshme për rritjen e prurjes së armëve të zjarrit të trafikuara.

Më tej, korrupsioni, rrjetet e mirëorganizuara të krimit (duke përfshirë edhe disa që kanë lidhje me grupet kriminale në Ukrainë) dhe disponueshmëria e armëve të zjarrit bëjnë që rajoni i Evropës Juglindore të ekspozohet ndaj rrezikut të lartë të kontrabandimit të armëve nga Ukraina. Për shembull, në një operacion policor të prillit të vitit 2023, të koordinuar nga Europoli dhe të drejtuar nga Bullgaria dhe Rumania, policia arrestoi 22 trafikantë armësh zjarri në mbarë rajonin, ndër të cilët edhe disa që vinin nga Evropa Juglindore. U sekuestruan 1 mijë e 621 armë, 24 mijë e 735 fishekë, 276 kilogramë dinamit, 299 detonatorë dhe mbi 21 kilogramë barut.5

Duhet vënë në dukje që shumë prej armëve të sekuestruara në kuadër të këtij operacioni policor ishin armë të konvertuara alarmi dhe sinjalizimi. Ky është problem që sa vjen e përkeqësohet. Shkak për këtë janë ndryshimet në teknologji, hendeqet në ligje dhe kostoja e blerjes së armëve të rregullta në tregun e zi. Sfida me trajtimin e armëve të konvertueshme ka filluar të haset edhe në pjesë të tjera të Evropës.6 Megjithatë, pasi të përfundojë lufta në Ukrainë, armët do të vërshojnë lumë në tregun e zi.

Njëri prej mundësuesve kryesorë të trafikimit të armëve është korrupsioni, sidomos ai në radhët e subjekteve shtetërorë (si ata që janë të përfshirë në prokurimin ose lëshimin e licencave të eksportit) dhe të prodhuesve të armëve. Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, licencat e eksportit janë bërë komoditet më vete, sepse u lejojnë konsorciumeve të eksportojnë drejt zonave të konfliktit, duke anashkaluar pengesat ligjore ndërkombëtare dhe duke shmangur çdo lloj hetimi politik.7

Për shembull, raportohet se, me ndihmën e investitorëve të huaj, në vitin 2010 në duart e forcave të armatosura të Libisë, Jemenit dhe Sudanit përfunduan rreth 30 mijë pushkë sulmi automatike bullgare.8 Nga raporti del se kjo dukuri vazhdon edhe sot e kësaj dite.9 Në vitin 2013, gazeta njujorkeze “The New York Times” botoi një artikull ku përshkruhej mënyra se si një sasi e madhe armësh këmbësorie të blera nga Kroacia kishin përfunduar në duart e luftëtarëve antiqeveritarë në Siri.10 Krahas kësaj, thuhet se në Jemen kanë përfunduar edhe armë nga Serbia.11 Nga disa raporte hetimore të OKB-së flitet për atë se si disa armë të vogla dhe të lehta janë dërguar drejt Sirisë nga Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia dhe nga shtete të tjera.12

Është e vështirë të spekulojmë në lidhje me atë se ku përfundojnë armët e kontrabanduara nëpërmjet rrugës së Ballkanit, por, nisur nga historia dhe përvoja, mund të themi se ka katër skenarë ku mund të përdoren. Së pari, sasi të vogla, por të fuqishme armësh mund të mbahen nga grupet kriminale në rajon, të cilat merren me mbledhjen e armëve, për t’i përdorur vetë ose si simbole statusi. Kriminelët e nivelit të lartë priren të rendin pas shumicës së armëve moderne dhe jo thjesht pas kallashnikovëve. Shqetësues në këtë kuadër është numri i armëve të teknologjisë së fundit që vendet e NATO-s po sjellin me bollëk në Ukrainë, të cilat mund t’i hedhin benzinë zjarrit të garës së armatimeve midis grupeve kriminale në rast se këto armë dalin nga rajoni dhe përfundojnë në tregun e zi.

Për shembull, në kuadër të hulumtimeve të saj për trafikimin e armëve nga Ukraina drejt Evropës Qendrore, GI-TOC-ja ka pikasur disa sinjale të kësaj prirjeje. Kjo kërkon vëmendje, sepse trafikimi i drogës dhe i armëve janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, të cilat kanë tentakula të gjata që mbërrijnë në mbarë botën, mund ta shkëmbejnë drogën me armë ose të përdorin armët për të ruajtur ose siguruar kontroll mbi tregjet joshëse të drogës. Kjo mund të çojë në rritjen e dhunës në rajonet ku veprojnë grupet kriminale të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe rajonin e BE-në.

Së dyti, armët dhe municioni mund të kalojë nëpër rajon për t’u çuar në zonat e luftës në vende të tjera të botës. Siç kemi theksuar më lart, ka disa vende në Ballkan që kanë kryer më përpara tregti të tillë. Portet e Detit të Zi dhe të Adriatikut janë vatra të mundshme trafikimi. Por si kanal trafikimi mund të shërbejë edhe Danubi. Krahas pushkëve të sulmit dhe pistoletave, do të jetë e rëndësishme të luftohet edhe eksportimi i raketave tokë-ajër që gjuhen me bazukë, raketat me drejtim antitanik dhe avionët pa pilot. Edhe numri i pilotëve me përvojë në manovrimin e avionëve pa pilot do të rritet. Aftësitë e këtyre pilotëve mund të përbëjnë interes për grupet kriminale.

Mundësia e tretë është që armët nga Ukraina të bien në duart e terroristëve ose forcave paraushtarake. Në këtë rast, Ballkani mund të jetë edhe rrugë, por edhe vendmbërritje (destinacion).

Së fundi, ekziston mundësia që armët të magazinohen në Ukrainë ose në vendet fqinje për t’u përdorur në të ardhmen.

Pas luftës në Jugosllavi, kaloi një periudhë kohore kur nuk u vu re gjë, derisa një ditë armët e këtij rajoni filluan të shfaqeshin në zonat e luftës në mbarë botën. Kësaj radhe, për shkak të internetit dhe rrjeteve sociale, periudha e pritjes mund të jetë shumë më e shkurtër. Dhe kjo nënkupton se duhen marrë masa sa më shpejt.

Ka pasur disa nisma në të shkuarën për të rritur kontrollin mbi armët e vogla dhe të lehta në Ballkan. Këto nisma duhet të përshkallëzohen për të penguar trafikimin e armëve nga Ukraina pas luftës.

Për shembull, duhen marrë masa për të përmirësuar sigurinë kufitare dhe portuale, ndoshta me ndihmën e vendeve të BE-së, nga Frontex-i dhe duke përdorur platformën “European Multidisciplinary Platform Against Criminal Threats”. Në fund të fundit, edhe vetë shtetet e BE-së kanë interes që të mos përmbyten nga armët që vijnë nga fushëbetejat e Ukrainës.

Duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje luftës ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit të aktorëve të lidhur me shtetin. Më tej, agjencitë ligjzbatuese duhet të përforcohen në vende që ndodhen pranë Ukrainës me qëllim që të ulet rreziku i trafikimit të armëve dhe të hetojnë, pengojnë dhe ndjekin penalisht tregtarët e armëve të paligjshme. Romania, e cila ka një kufi të gjatë me Ukrainën dhe portet e Detit të Zi dhe të Danubit, meriton vëmendje dhe mbështetje të posaçme me qëllim që të mos bëhet vrimë në rrjetë.

Të gjitha këto veprimtari duhet të drejtohen nga inteligjencia. GI-TOC-ja po monitoron me sa ka mundësi çmimet e armëve në tregun e zi, për të pikasur prirjet e çmimeve në Ukrainë dhe në tregjet e mundshme.

Nuk është nevoja të shpiken organizma të rinj për të lehtësuar bashkërendimin: rajoni ka shumë subjekte, duke përfshirë Western Balkans SALW Control Roadmap, South Eastern and Eastern Europe Clearinghouse for the Control of SALW, Southeast European Law Enforcement Centre, OSCE-në dhe Regional Cooperation Council. Organizatave të shoqërisë civile duhet t’u jepet më shumë qasje në këto organe me qëllim që të bashkëndajnë informacione me to.

Megjithatë, është urgjente nevoja për lidership politik me përfshirjen e fuqishme të agjencive ligjzbatuese, me qëllim që t’i jepet përparësi mbajtjes së armëve brenda Ukrainës dhe të pritet, parandalohet dhe kontrollohet ajo që mund të jetë, mbështetur në përvojën e mëparshme, një rrjedhje e madhe dhe destabilizuese e armëve nga Ukraina pas mbarimit të luftës. Koha për t’u përgatitur është tani!

Shënime

  1. New front lines: Organized criminal economies in Ukraine in 2022, GI-TOC, shkurt 2023, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2023/02/New-frontlines-organized-criminal-economies-in-Ukraine-in-2022-GI-TOC-February-2023.pdf

  2. Frontex: Western Balkans main point of entry for arms smuggled into EU, EURACTIV, 1 mars 2022, https://www.euractiv.com/section/politics/short_news/frontex-western-balkans-main-point-of-entry-for-arms-smuggled-into-eu/

  3. New front lines: Organized criminal economies in Ukraine in 2022, GI-TOC, shkurt 2023, https://globalinitiative.net/analysis/organized-criminal-economies-ukraine-2022/

  4. Europol, Drugs and firearms traffickers targeted along the Balkan route, 4 nëntor 2022, https://www.europol.europa.eu/media-press/newsroom/news/382-arrests-during-joint-actions-against-traffickers-using-balkan-route

  5. Europol, 22 firearms traffickers arrested across Europe, 3 prill 2023, https://www.europol.europa.eu/media-press/newsroom/news/22-firearms-traffickers-arrested-across-europe

  6. Paul Jacques, Illegal conversion of blank-firing pistols into lethal guns a ‘growing concern’, says GMP, Police Professional, 2 dhjetor 2021, https://www.policeprofessional.com/news/illegal-conversion-of-blank-firing-pistols-into-lethal-guns-a-growing-concern-says-gmp/

  7. UAE/KSA Opportunism, captive states & the arms trade in South-Eastern Europe, Tactics Institute for Security and Counter Terrorism, 19 qershor 2020, https://tacticsinstitute.com/reports/tactics-publishes-major-report-on-arms-trade/

  8. N R Jenzen-Jones, Bulgarian AR-M9 & AR-M9F rifles supplied by UAE to allied forces, The Hoplite, 31 janar 2016, http://armamentresearch.com/bulgarian-ar-m9-ar-m9f-rifles-supplied-by-uae-to-allied-forces

  9. Mariya Petkova, War gains: Bulgarian arms add fuel to Middle East conflicts, BalkanInsight, 21 dhjetor 2015, https://balkaninsight.com/2015/12/21/war-gains-bulgarian-arms-add-fuel-to-middle-east-conflicts-12-16-2015/

  10. C J Chivers dhe Eric Schmitt, Saudis step up help for rebels in Syria with Croatian arms, The New York Times, 25 shkurt 2013, https://www.nytimes.com/2013/02/26/world/middleeast/in-shift-saudis-are-said-to-arm-rebels-in-syria.html?smid=pl-share&_r=0

  11. Dilyana Gaytandzhieva, Leaked arms dealers’ passports reveal who supplies terrorists in Yemen: Serbia files (Part 3), Arms Watch, 15 shtator 2019, http://armswatch.com/leaked-arms-dealers-passports-reveal-who-supplies-terrorists-in-yemen-serbia-files-part-3/

  12. Ivan Angelovski, Miranda Patrucic dhe Lawrence Marzouk, Revealed: the £1bn of weapons flowing from Europe to Middle East, The Guardian, 27 korrik 2016, https://www.theguardian.com/world/2016/jul/27/weapons-flowing-eastern-europe-middle-east-revealed-arms-trade-syria?fbclid=IwAR2MvtkxmqXedbsES6gCPHJzb95XRLAuDVyFoG11TPlsYthhEbgXERnQOO0