Rritja e sekuestrimit të drogave sintetike në Shqipëri nënkupton se po rritet kërkesa e brendshme për këto substanca.
Drogat janë përdorur në Shqipëri prej kohësh. Ky vend njihet si furnizues kanabisi, ndërsa grupet kriminale shqiptare kanë bërë emër në fushën e trafikimit të kokainës. Megjithatë, prodhimi, trafikimi dhe përdorimi i drogave sintetike është hasur rrallë në këtë vend. Por rritja e sekuestrimeve të drogave sintetike në Shqipëri nënkupton dy gjëra: ose po rritet kërkesa e brendshme për këto droga, ose policia po bëhet më syçelë dhe efektive në kapjen e këtyre drogave.1 Duke marrë për bazë arrestimet, përdoruesit duket se janë kryesisht persona të rinj që përdorin stimulues të ndryshëm të tipit të “amfetaminës”, si kokrrat e MDMA-së që njihet ndryshe edhe si “ekstazi”. Kjo prirje i përgjigjet rritjes së turistëve që shkojnë në bregdetin Shqiptar gjatë verës, por tani po përhapet edhe në pjesët e tjera të vendit.
Sipas “Raportit botëror të drogës” të vitit 2022 të UNODC-së, prevalenca e përdorimit të ekstazisë në Evropën Juglindore është më e ulët sesa në Evropën Perëndimore dhe Qendrore.2 Në Shqipëri, në një studim të botuar në vitin 2022 nga Instituti i Shëndetit Publik, tregohet se 7,4% e njerëzve të moshave nga 15 deri në 18 vjeç kishin konsumuar kanabis të paktën një herë, 4,2% kishin provuar ekstazinë, 3,2% kokainën dhe 1,2% heroinën.3 Megjithatë, ekspertët theksojnë se po shtohet përdorimi i ekstazisë në radhët e nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri.4
Njëri ndër treguesit kryesorë të rritjes së prurjes së drogave sintetike drejt Shqipërisë është rritja e sekuestrimeve të ekstazisë që nga viti 2021. Siç tregohet në figurën 1, midis periudhës 2014-2021 nuk ka ndodhur pothuaj asnjë sekuestrim, ndërsa në vitin 2022 janë konfiskuar 2 mijë e 200 gramë. Në janar të vitit 2023, autoritetet shqiptare sekuestruan mbi 1 mijë kokrra ekstazi, të cilat shpërndaheshin në Tiranë nga tre të rinj nga 17 deri në 25 vjeç.5
Policia e Shtetit e Shqipërisë
Në sekuestrimet e tjera relativisht të vonëshme të drogave sintetike në vend bëjnë pjesë mbi 97 kilogramë prekursorë droge (2015), 1 mijë e 300 kilogramë prekursorë alfa-fenilacetoacetonitrili (2017), mbi 3 litra ketaminë (2018), 95 gramë dhe 19 kokrra metamfetaminë (2020), 84 gramë dhe 258 kokrra metadon (2021) dhe 481 gramë ekstazi (2020).6 Sasitë relativisht të vogla të japin të kuptosh se drogat kanë të ngjarë të jenë të destinuara për konsumim të brendshëm. Pavarësisht kësaj, sekuestrimi i 1 mijë e 300 kilogramëve prekursorë të jep të kuptosh se ekziston mundësia e prodhimit në shkallë të gjerë të këtyre drogave.
Ka pasur edhe raste sporadike të laboratorëve lokalë që prodhojnë droga sintetike. Rasti më famëkeq ndodhi në vitin 2018 dhe kishte të bënte me dy shtetas amerikanë (njëri me origjinë shqiptare), të cilët u arrestuan ndërkohë që po përpiqeshin të ngrinin një laborator droge në Tiranë.7
Nga vijnë drogat?
Shumica e stimuluesve të tipit amfetaminë dhe substancave të reja psikoaktive që po kontrabandohen drejt Shqipërisë duket se e kanë burimin në Bullgari, Serbi dhe Maqedoni të Veriut,8 ndërsa sasi të tjera më të vogla vijnë edhe nga vende evropiane si Holanda, Belgjika dhe Republika Çeke.9 Duket se po shtohet disponueshmëria e drogave sintetike relativisht ekonomike në Evropën Juglindore, siç kuptohet nga rritja e dukshme e prodhimit në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut.10 Një sasi rekord prej më shumë se 1 toni prekursorësh, që përdoren për prodhimin e stimuluesve të tipit “amfetaminë”, u sekuestrua gjatë një operacioni policor të përbashkët midis autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe të Turqisë në shkurt të vitit 2022 në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit. Substancat kimike ishin dërguar nga Shangai dhe kishin kaluar tranzit në Stamboll.11
Ka edhe shenja që tregojnë se është rritur prodhimi i LSD-së në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, çka po furnizon tregun e brendshëm të Shqipërisë.12 Dyshohet se një pjesë e këtyre drogave dhe të prekursorëve të tyre futen kontrabandë me bashkëpunimin e kompanive farmaceutike.13 Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është kritikuar se nuk po ushtron kontrolle të mjaftueshme dhe se nuk po arrin të eliminojë barnat e falsifikuara,14 gjë që mund të lehtësojë trafikimin e prekursorëve.
Rritja e madhe e turizmit mund të ketë kontribuuar në rritjen e konsumit dhe në trafikimin e drogave sintetike në Shqipëri. Vendi po bëhet destinacion i preferuar për turistë. Numri i vizitorëve të huaj pothuaj është dyfishuar nga 3,4 milionë që ishte në vitin 2014 në 7 milionë në vitin 2022.15 Po ashtu, është shtuar edhe numri i festivaleve të muzikës që organizohen në vend, të cilat janë ngjarje të volitshme për të konsumuar drogave sintetike. Megjithatë, gjëja që ka nisur si tendencë e çastit ndër turistë duket se është përhapur në popullsinë lokale, sidomos në radhët e të rinjve në qytetet e mëdha. Për shembull, qendra e qytetit të Tiranës, ku ndodhet shumica e klubeve ku mblidhen rregullisht të rinjtë e të rejat, njihet si vatër e blerjes, shitjes dhe konsumimit të drogave sintetike.16
Kush po i shpërndan drogat?
Po shtohen arrestimet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj për trafikim dhe shpërndarje të ekstazisë. Shumica e autorëve të këtyre veprave penale janë të rinj që kapen duke shpërndarë droga sintetike në shkolla, universitete dhe klube nate. Drogat po shiten edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Në janar të vitit 2023, tre të rinj (ndër të cilët një 17-vjeçar) u arrestuan në Tiranë pasi u kapën me 1 mijë e 7 kokrra ekstazi, të cilat autoritetet dyshojnë se ishin importuar nga Holanda.17 Në vitin 2019, në Shkodër u arrestua një 24-vjeçar që u shiste drogë nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të universitetit. Në momentin e arrestimit iu gjetën 990 kokrra ekstazi.18 Në të njëjtin vit, në Vlorë u arrestua një 22-vjeçar për shpërndarjen e 100 kokrrave ekstazi.19 Tregtarët e tjerë janë më të mëdhenj në moshë, por sërish klientela e tyre janë të rinjtë. Në vitin 2022, në Dhërmi (destinacion i preferuar i të rinjve për të kaluar pushimet e verës) u arrestua një 52-vjeçar për posedimin e 4 mijë e 840 kokrrave ekstazi, MDMA, ketaminë, amfetaminë, LSD dhe dyshohet edhe për një sasi kokaine.20
Policia e Shtetit e Shqipërisë
Janë arrestuar edhe shtetas të huaj për shkak të posedimit dhe shpërndarjes së drogave. Arrestimet e tyre kanë ndodhur kryesisht pas festivaleve të muzikës.21 Kohëve të fundit, në qershor të vitit 2023, në Dhërmi u arrestuan nëntë shtetas të huaj për shpërndarje të drogave sintetike. U sekuestruan rreth 45 mijë euro para fizike në valuta të ndryshme.22
Ndonëse përdorimi i drogave sintetike në Shqipëri, tani për tani, duket relativisht i vogël, është e qartë se ekziston një prirje për rritje. Kjo është dukuri e re, prandaj duhen marrë masa shpejt me qëllim që të rritet vetëdija—sidomos në lidhje me tipat e drogave dhe dëmet e tyre—dhe të ngrihen institucione për trajtimin e vartësisë.
Krahas kësaj, duhet të rriten kapacitetet e policisë për të zbuluar vatrat dhe trafikantët, për të shkëmbyer informacione rreth tipave të drogave me kolegët e huaj dhe për të përmirësuar metodat e testimit të drogave sintetike dhe prekursorëve të tyre. Duke qenë se ky problem duket se buron, në masën më të madhe, nga faktorë të jashtëm si rritja e turizmit dhe e prodhimit të drogës në vendet fqinje, ekziston nevoja për bashkëpunim me vendet e rajonit dhe me partnerët e jashtëm me qëllim që masat parandaluese dhe korrigjuese, që duhen marrë për ta trajtuar këtë problem, të jenë sa më efektive.
Shënime
-
Intervistë me një përfaqësues të nivelit të lartë të Policisë së Shtetit, Tiranë, prill 2023. ↩
-
UNODC, Drug market trends: Cocaine, amphetamine type stimulants, new psychoactive substances, World Drug Report 2022, qershor 2022, https://www.unodc.org/res/wdr2022/MS/WDR22_Booklet_4.pdf. ↩
-
Edicioni i Lajmeve, Tv Klan, 4 prill 2022, ora 19:30 Lajme – News, RTV Klan, 4 prill 2022 https://www.youtube.com/watch?v=q5sBRCFT5hY. ↩
-
Po aty; Drogat sintetike vrasin, po shtohet përdorimi i ekstazisë në vendin tonë, Top Channel, 26 mars 2023, https://www.youtube.com/watch?v=hMOJepNF00E; intervistë me një përfaqësues të nivelit të lartë të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Tiranë, prill 2023. ↩
-
Shpërndanin lëndë narkotike ekstazi në Tiranë, arrestohen 3 persona, ABC News, 22 janar 2023, https://abcnews.al/shperndanin-lende-narkotike-ekstazi-ne-tirane-arrestohen-3-persona/. ↩
-
Policia e Shtetit e Shqipërisë, Statistikat e prekursorëve dhe drogave sintetike të sekuestruara 2013-2022, mars 2023. ↩
-
Arrestohen dy amerikanë në Morinë, shkatërrohet baza e drogës, ABC News, 26 shtator 2018, https://www.youtube.com/watch?v=3zPFgx8INEY. ↩
-
Intervistë me një përfaqësues të nivelit të lartë të Policisë së Shtetit, Tiranë, prill 2023. ↩
-
Walter Kemp, Kristina Amerhauser dhe Ruggero Scaturro, Spot prices: Analizimi i fluksit të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor, GI-TOC, maj 2021, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2021/05/WB-Hotspots-3_AL-web.pdf. ↩
-
Po aty. ↩
-
SELEC, The North Macedonian and Turkish law enforcement authorities made one of the biggest seizure of synthetic drugs in Southeast, 17 shkurt 2022, https://www.selec.org/the-north-macedonian-and-turkish-law-enforcement-authorities-made-one-of-the-biggest-seizure-of-synthetic-drugs-in-southeast/. ↩
-
Intervistë me një përfaqësues të nivelit të lartë të Policisë së Shtetit, Tiranë, prill 2023. ↩
-
Intervistë me një prokuror në Shqipëri, 6 shkurt 2023. ↩
-
Ilaçet kontrabandë, ekspertët: Mungojnë ilaçet origjinalë, tregu i mbushur me barna joefektivë, Euronews Albania, 26 tetor 2021, https://www.youtube.com/watch?v=bt9XAOxpxP8. ↩
-
Instituti i Statistikave, Turizme, https://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2. ↩
-
Ekstazi nga Holanda për lokalet e natës në Tiranë, Lajme News, RTV Klan, 23 janar 2023, https://www.youtube.com/watch?v=pl8i6_n6KQE. ↩
-
Shpërndanin drogë nëpër Tiranë, arrestohen tre të rinj, mes tyre një 17-vjeçar. Në kërkim bashkëpunëtori, Panorama, 22 janar 2023, http://www.panorama.com.al/shperndanin-droge-neper-tirane-arrestohen-tre-te-rinj-mes-tyre-nje-17-vjecar-ne-kerkim-bashkepunetori/. ↩
-
Sekuestrohen 990 tableta ekstazi, pranga 24 vjeçarit, ABC News, 28 maj 2019, https://abcnews.al/sekuestrohen-990-tableta-ekstazi-pranga-24-vjecarit/. ↩
-
Sekuestrohen 100 kokrra ekstazi dhe euro në Vlorë, Ora News, 24 qershor 2019, https://www.oranews.tv/article/sekuestrohen-100-kokrra-ekstazi-dhe-euro-ne-vlore. ↩
-
Shiste drogëra të forta në lokalet e Dhërmiut, arrestohet 52-vjeçari, Top Channel, 14 shtator 2022, https://top-channel.tv/2022/09/14/shiste-drogera-te-forta-ne-lokalet-e-dhermiut-arrestohet-52-vjecari/. ↩
-
Kontrolle në Lezhë-Shëngjin/ Kapen me kokainë dhe ekstazi në makina 3 persona që jetojnë në Norvegji, Itali dhe Kosovë, Top Channel, 26 shtator 2021, https://top-channel.tv/2021/09/26/kontrolle-ne-lezhe-shengjin-kapen-me-kokaine-dhe-ekstazi-ne-makina-3-persona-qe-jetojne-ne-norvegji-itali-dhe-kosove/. ↩
-
Erdhën turistë, arrestohen për shpërndarës droge, TV Klan, 13 qershor 2023, https://tvklan.al/erdhen-turiste-arrestohen-per-shperndares-droge/. ↩