Kriminelët ballkanas të përfshirë në shkallë të madhe në kontrabandë përmes Hamburgut.
Hamburgu, një qytet portual kryesor që gjendet në Gjermaninë veriore, shërben si një pikë hyrëse kyçe për kokainën e trafikuar nga Amerika Latine në Evropë për shkak të vendndodhjes së tij strategjiko-gjeografike dhe vëllimit të lartë të qarkullimit të kontejnerëve. Një pjesë e qarkullimit të kokainës përmes portit drejtohet nga rrjetet kriminale nga Ballkani. Edhe pse autoritetet Gjermane dhe ndërkombëtare po kërkojnë ta trajtojnë problemin, kërkohen përpjekje të fuqizuara, duke përfshirë investimet në uljen e bashkë-përfshirjes së personelit të portit dhe një koordinim më të madh me autoritetet ligjzbatuese dhe portuale të Ballkanit.

Qeveria gjermane raporton se sekuestrimet e kokainës në portin e Hamburgut — shpesh të fshehura në kontejnerë — u trefishuan nga 9.5 ton në vitin 2019 në 33.9 ton në vitin 2023.
Fotografia: Andreas Rentz nga Getty Images
Në vitin 2023, porti i Hamburgut në lumin Elba, i njohur si porta e Gjermanisë drejt botës, trajtoi 7.7 milionë kontejnerë, duke e bërë atë portin e tretë më të madh evropian për nga qarkullimi.1 Gjatë atij viti, ligjzbatuesit gjerman sekuestruan një sasi rekord prej 43 tonësh kokainë në të gjithë vendin,2 përfshirë gati 34 ton – gati 80% – të kapur vetëm në portin e Hamburgut.3 Numri i hetimeve në proces të krimeve të rënda dhe ndërkombëtare për drogë në qytet u rrit në 111 në vitin 2023, duke shënuar një rritje prej gati 30% krahasuar me vitin 2022 dhe duke vendosur një rekord.4
Përderisa rëndësia e Hamburgut në trafikun ndërkombëtar të kokainës është e dokumentuar mirë,5 roli i rrjeteve kriminale të Ballkanit mbetet relativisht i paeksploruar. Këto rrjete, të përbëra nga grupe shqipfolëse të udhëhequra kryesisht nga shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe grupe sllavofolëse të drejtuara kryesisht nga serbë dhe malazezë, janë shumë të aftë në koordinimin e dërgesave të vazhdueshme të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, duke u mbështetur si në portin e Hamburgut ashtu edhe në vetë qytetin.
Për shembull, në dhjetor të vitit 2024, policia e Malit të Zi arrestoi tre malazezë të akuzuar për trafikimin e 509 kilogramëve kokainë në bordin e anijes shtetërore malazeze të mallrave Budva, duke ringjallur një rast të profilit të lartë që daton gati pesë vjet më parë.6 Raportohet se kokaina ishte ngarkuar në portin Santos në Brazil, e fshehur në mesin e sheqerit me sasi të madhe të destinuar për në Kazablanka të Marokut. Edhe pse sheqeri u shkarkua në Kazablanka, kokaina mbeti e fshehur në anije, e cila u sekuestrua nga policia gjermane me mbërritjen e saj në Hamburg në maj të vitit 2020.7 Të dyshuarit zgjodhën të heshtnin në mbrojtje të tyre para prokurorisë malazeze.8
Një nga të arrestuarit në Mal të Zi në dhjetor 2024, Mladen Radulović, ishte mbajtur në arrest më parë në Hamburg në mes të majit dhe nëntorit 2020 në lidhje me të njëjtin rast. Megjithatë, ai më pas ishte liruar nga paraburgimi gjerman për shkak të paraburgimit të padrejtë, sipas ekipit të tij ligjor.9
Në nëntor të vitit 2024, autoritetet shqiptare ekstraduan Princ Doboshin – një shqiptar nga Kosova i akuzuar për kryerjen e operacioneve të mëdha të kontrabandës së kokainës përmes portit të Hamburgut – në Gjermani pasi e arrestuan atë në Tiranë.10 Prokurorët e Hamburgut e kanë akuzuar atë për përfshirje në 11 raste të kontrabandës që përfshijnë një total prej rreth 10 tonësh kokainë, sipas Die Zeit.11 Doboshi është vënë gjithashtu në shënjestër të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të Shqipërisë, e cila sekuestroi disa nga pasuritë e tij në mars 2024 me arsyetimin se ato ishin financuar nga trafiku i kokainës.12 E kaluara e tij kriminale daton që nga vitet e 90-ta.13

Policia gjermane paraqet 2 ton kokainë të sekuestruar në portin e Hamburgut në shtator 2024.
Fotografia: Picture Alliance nga Getty Images
Në shtator ë vitit 2024, policia e Hamburgut sekuestroi më shumë se 2 ton kokainë të fshehur në kuti bananesh brenda një kontejneri transporti pranë portit.14 Operacioni çoi në arrestimin e 12 të dyshuarve, të moshës në mes 21 dhe 43 vjeç, nga Gjermania, Turqia, Afganistani, Iraku, Siria, Shqipëria dhe India. Disa nga të arrestuarit ishin tashmë të njohur për ligjzbatuesit për krime të lidhura me drogën.15 Ky sekuestrim zbuloi një operacion të mundshëm bashkëfinancimi, të projektuar për të lejuar grupe të shumta të ndajnë të ardhurat pas mbërritjes së kokainës në portet evropiane, sipas një studiuesi të specializuar në gjurmimin e organizatave kriminale shqiptare.16 Grupet shqiptare janë të përfshira në mënyrë aktive në marrëveshje të tilla, duke demonstruar natyrën bashkëpunuese dhe ndërkombëtare të operacioneve të trafikimit të drogës.17
Statistikat e ligjzbatuesve konfirmojnë praninë e fuqishme të grupeve kriminale të Ballkanit në Gjermani. Në vitet 2022 dhe 2023, shtetasit shqiptarë dhe serbë ishin ndër pesë kombësitë kryesore të dyshuara për përfshirje në krimin e organizuar në Gjermani, sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminale.18 Numri i të dyshuarve serbë pothuajse u trefishua në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, duke u rritur nga 165 në 450, derisa numri i të dyshuarve shqiptarë u rrit nga 254 në 285.19
Ligjzbatuesit, raportet e mediave dhe burimet e shoqërisë civile në Hamburg tregojnë se grupet shqipfolëse perceptohen si më të dukshme në qytetin dhe portin e Hamburgut sesa grupet sllavofolëse. Kjo dukshmëri e rritur ka të gjasë të lidhet me praninë e tyre më të gjatë në qytet. Megjithatë, kjo nuk tregon domosdoshmërisht se rrjetet kriminale ballkanike kanë një prani më të fuqishme në Hamburg sesa akterët e tjerë kriminalë kombëtarë ose ndërkombëtarë. Dukshmëria e tyre më e lartë mund të rrjedhë nga përfshirja e tyre aktive në nivelin operativ, gjë që i bën ata më të ekspozuar ndaj përpjekjeve të ligjzbatuesve, sipas një studiuesi që ndjek nga afër krimin e organizuar evropian.20
Grupet shqipfolëse
Sipas një gazetari hulumtues vendas me përvojë, rrjetet kriminale shqiptare kanë qenë të pranishme në Hamburg që nga vitet e 80-ta,21 veçanërisht në trafikun e drogës dhe shfrytëzimin seksual. Në vitin 2023, autoritetet gjermane iniciuan 38 hetime penale që synonin kryesisht grupet kriminale shqiptare, duke përfshirë 23 raste të përqendruara në trafikimin e kokainës dhe 15 që përfshinin operacione të paligjshme me kanabis.22
Prania kriminale me etni shqiptare në Hamburg mendohet se ka filluar me klanin Osmani nga Kosova, i cili krijoi një pikëmbështetje në qytet në vitet e 80-ta.23 Deri në vitet e 90-ta, dolën në pah grupe të tjera kriminale shqiptare, të përqendruara kryesisht në shfrytëzimin seksual, veçanërisht në lagjen e dritave të kuqe në Hamburg. Sipas një gazetari lokal, deri në vitet 2000, pasuria e klanit Osmani vlerësohej në 100 milionë euro, duke përfshirë investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme, veçanërisht në lagjen e dritave të kuqe në Hamburg.24
Megjithatë, anëtari i dyshuar i klanit, Bashkim Osmani pretendon se pasuria e tij është ndërtuar thjesht përmes investimeve të ligjshme në Hamburg dhe më vonë në Spanjë. Në një intervistë me gazetën kroate Nacional, të botuar në gusht të vitit 2007, Bashkimi deklaroi se familja e tij kishte ndërtuar pasuri të konsiderueshme në Gjermani, pjesërisht përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe lidhjeve politike.25 Një gazetar hulumtues lokal pretendoi se lidhjet politike të familjes në Hamburg u mundësuan atyre të vepronin për shumë vite nën syrin e ligjzbatuesve,26 i cili ka luftuar për dekada të tëra për të ndërtuar një rast të suksesshme kundër klanit Osmani.
Megjithatë, në shkurt të vitit 2022, Bashkim Osmani u arrestua në Kroaci si pjesë e një operacioni të koordinuar nga Europoli që përfshinte bastisje në gjashtë shtete evropiane, në të cilat u arrestuan 45 të dyshuar me dyshimin se i përkisnin një rrjeti kokaine të lidhur me Amerikën e Jugut.27 Informata të rëndësishme mbi operacionet e dyshuara të grupit në Hamburg dhe më gjerë dyshohet se u siguruan nga dekodimi i Encrochat, një platformë mesazhesh të koduara të përdorur nga kriminelët.28
Të dyshuarit, kryesisht shqipfolës, akuzohen për kontrabandën e toneve të kokainës në Evropë përmes porteve kryesore. Bashkim Osmani u transferua në Majorka dhe u vu në paraburgim, i akuzuar të jetë anëtarë i një organizate kriminale dhe për pastrim parash.29 Megjithatë, gazeta Majorca Daily Bulletin raportoi në qershor të vitit 2022 se ai ishte liruar pasi kishte paguar një garanci prej 400 000 euro; avokati i tij pohoi në gjykatë se nuk kishte “asnjë provë” kundër tij.30
Një ekspert i drogës nga Hamburgu shpjegoi se kriminelët shqiptarë janë lojtarë kyç në tregtinë me shumicë të kokainës, së bashku me grupet turke dhe kurde. “Shqiptarët janë përgjegjës për nxjerrjen e kokainës nga porti”, theksoi ky ekspert.31 Në tetor të vitit 2023, policia gjermane arrestoi tre shtetas shqiptarë në Hamburg me dyshimin për përfshirje në trafikim të kokainës në shkallë të madhe.32 Sipas doganës së Hamburgut dhe prokurorëve lokal, të dyshuarit punonin në port dhe kishin qasje në kontejnerë. Gjatë operacionit, policia konfiskoi gati 240 kilogramë kokainë të fshehur në një kontejner me origjinë nga Amerika e Jugut.33
Grupet sllavofolëse
Ndryshe nga homologët e tyre shqiptarë, grupet kriminale sllavofolëse nuk kanë një prani të gjatë në qytet dhe port. Aktivitetet e tyre në Hamburg u vërejtën për herë të parë në vitet 2010, duke shënuar një zhvillim më të ri në ndikimin e rrjeteve kriminale të Ballkanit.
Një nga rastet më të hershme të zbuluara nga ligjzbatuesit që lidh grupet sllave, trafikun e kokainës dhe portin e Hamburgut daton nga viti 2019 dhe përfshin Petar Ćosić, i njohur edhe si Šarac, një shtetas kroat. Ćosić, një ish-oficer i forcave speciale, ka qenë një figurë qendrore në tregtinë e drogës në Ballkan dhe një bashkëpunëtor i besuar i Darko Šarić.34 “Lidhja e tyre raportohet se daton që nga shërbimi i tyre ushtarak së bashku në vitin 1989, duke e theksuar një partneritet të ndërtuar mbi dekada të besimit”, shpjegoi një reporter krimi me përvojë nga Kroacia.35
Šarić, nga Mali i Zi, i cili ka edhe një pasaporte serbe, drejtonte një rrjet të gjerë kontrabande kokaine nga Amerika e Jugut në Evropë. Në nëntor të vitit 2020, një gjykatë apeli serbe konfirmoi një dënim me burg prej 15 vitesh të dhënë ndaj Šarić, dy vjet më parë për rolin e tij në trafikimin e 5.7 ton kokainë në vitet 2008 dhe 2009.36 Ćosić menaxhoi logjistikën dhe mbikëqyri shpërndarjen e drogës për Šarić, veçanërisht në Kroaci. Në vitin 2011, Ćosić u arrestua gjatë operacionit Dogma për kontrabandën e të paktën 368 kilogramëve kokainë,37 dhe rrjedhimisht u dënua me katër vite burg.38 Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia ishin në qendër të operacioneve të tyre, duke shërbyer si qendra kritike për transportimin e kokainës në Evropë dhe pastrimin e parave. Bashkëpunimi i tyre vë në pah shfrytëzimin strategjik të dobësive rajonale nga rrjetet kriminale të Ballkanit.
Lidhja në mes të Ćosić-it dhe portit të Hamburgut mund të gjurmohet që nga dhjetori i vitit 2019. Prokurorët kroatë pretenduan në prill 2023 se Ćosić kishte mbikëqyrur një dërgesë prej një ton kokainë, duke e transportuar drogën nga Kolumbia përmes Ekuadorit në Evropë.39 Në portin e Guayaquil në Ekuador, 500 kilogramë kokainë u fshehën në një kontejner transporti në bordin e MSC Zlata R dhe u transportuan në Evropë përmes Antwerpit dhe Hamburgut.
Përpjekjet për të nxjerrë këtë kokainë në Antwerp nuk patën sukses, duke i shtyrë trafikantët ta transferonin kontejnerin në anijen Joanna për ta lëvizur më tej në Hamburg. Me mbërritjen e kokainës në Hamburg, kriminelët arritën të kenë qasje në kontejner pasi ai doli nga porti dhe e nxorën me sukses kokainën. Nga 500 kilogramët, 350 u shitën për rreth 28 000 euro për kilogram. 150 kilogramët e mbetur thuhet se u mbajtën si pagesë në natyrë, si kompensim nga stafi operativ që nxorën ngarkesën në portin e Hamburgut.40
Një tjetër lojtar kyç i dyshuar në anën sllave të rrjeteve kriminale të Ballkanit është karteli Tito dhe Dino, i udhëhequr nga Edin Gačanin, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës i cili mban një pasaportë holandeze.41 Prokurorët holandezë dyshojnë se ky kartel ka mundësuar kontrabandën në vitin 2020 të rreth 1.8 ton kokainë përmes portit të Hamburgut, me destinacion përfundimtar Holandën.42 Qeveria amerikane e ka identifikuar Gačanin si një nga top trafikantët e drogës në botë.43 Grupi i tij mbajti aleanca të forta me organizata të tjera të mëdha kriminale, përfshirë grupin Kinahan nga Irlanda dhe “Macro” mafian holandezo-marokene,44 duke forcuar ndikimin e saj në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Hamburgu është vënë në dukje gjithashtu në një rast të lidhur me Malin e Zi si një pikë hyrëse e kushtueshme për dërgesat e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Komunikimet e koduara të përgjuara në platformën Sky ECC supozohet se zbuluan se Radoje Zvicer, udhëheqësi i dyshuar i klanit Kavač – një nga organizatat kriminale më të fuqishme të Malit të Zi — diskutoi lidhjet e tij në Hamburg si një mundësi për nxjerrjen e kokainës nga porti. Megjithatë, thuhet se Zvicer shprehu shqetësime në lidhje me koston e lartë, duke deklaruar se bashkëpunëtorët në Hamburg kërkuan 25% të vlerës totale të ngarkesës së kokainës, të cilën ai supozohet se e konsideroi të tepërt.45
Nuk ka dyshim se porti i Hamburgut është një qendër kritike për trafikimin e kokainës në Evropë, duke tërhequr një gamë të gjerë rrjetesh kriminale për shkak të vendndodhjes së tij strategjike dhe marzheve të larta të fitimit. Derisa grupet kriminale të Ballkanit janë thellësisht të përfshira në port dhe qytet, ato nuk njihen për metodat e dhunshme në Hamburg,46 sipas ligjzbatuesve në Hamburg. Në vend të kësaj, ata përqendrohen drejtpërdrejt në logjistikë të sofistikuar dhe partneritete strategjike për të lehtësuar kontrabandën dhe shpërndarjen e drogës. “Aktualisht, organizatat kriminale aktive në Hamburg janë më shumëkombëshe”, shpjegoi një operator i ligjzbatimit në lumin Elba.47
Njohja e problemeve
Autoritetet në Hamburg në janar të vitit 2024 iu bashkuan Aleancës Evropiane të Porteve, një iniciativë për rritjen e sigurisë në të gjitha portet e BE-së.48 Aleanca përqendrohet në përmirësimin e efikasitetit doganor në skanimin e kontejnerëve dhe inspektimin e importeve, së bashku me operacione të synuara të ligjzbatimit në porte. Gjithashtu nxit bashkëpunimin, duke promovuar partneritete publiko-private për të mbështetur autoritetet e portit dhe kompanitë e transportit detar, së bashku me mbrojtjen e logjistikës, informatave, personelit dhe proceseve operative.49
Në maj të vitit 2024, autoritetet e Hamburgut hapën Qendrën e Sigurisë së Portit për të rritur mbikëqyrjen dhe për të luftuar krimin e organizuar brenda portit.50 I krijuar me bashkëpunimin e policisë, doganave dhe prokurorëve, ai lehtëson shkëmbimin e informatave dhe identifikon modelet e aktiviteteve të dyshimta në një fazë të hershme. Një portal për sinjalizuesit është zhvilluar për të mbështetur këto përpjekje, duke u mundësuar punonjësve të portit të raportojnë aktivitete të dyshimta në mënyrë anonime. Për më tepër, autoritetet zhvilluan një fushatë ndërgjegjësimi publik për të edukuar punonjësit e portit rreth rreziqeve të rekrutimit kriminal.51
Gjithashtu në maj të vitit 2024, Hamburgu organizoi një takim ministror të Koalicionit të vendeve Evropiane kundër krimit të organizuar dhe të rëndë, duke bashkuar ministrat nga Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Franca, si dhe përfaqësues nga Amerika Latine. Suedia iu bashkua koalicionit si anëtare e re.
Një rezultat kyç i takimit ishte miratimi i Deklaratës së Hamburgut, një strategji tre-drejtimëshe që synon të ndërpresë furnizimet me kokainë në rrjedhën e sipërme ose afër burimit në Amerikën e Jugut; të rrisë bashkëpunimin në mes të doganave, ligjzbatuesve dhe operatorëve të sektorit privat aktivë në portet evropiane dhe përgjegjës për to; si dhe të përmirësojë bashkëpunimin ndërkufitar nga ligjzbatuesve për të ndërprerë dhe shpartalluar operacionet financiare të rrjeteve kriminale.52
Autoritetet gjermane vunë re një rënie të sekuestrimeve të kokainës në portin e Hamburgut në gjysmën e parë të vitit 2024.53 Përderisa kjo mund të tregojë një ulje të fluksit të kokainës në Hamburg, mund edhe të pasqyrojë gjithashtu se organizatat e trafikimit të drogës po përdorin metoda më të sofistikuara të fshehjes në përgjigje të masave të shtuara të sigurisë. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, disponueshmëria dhe çmimi i kokainës, përfshirë edhe në Hamburg, kanë mbetur të qëndrueshme,54 duke sugjeruar qëndrueshmërinë e vazhdueshme të rrjeteve të trafikimit.
Boshllëqe të vazhdueshme në politika
Masa me synime më të qarta janë thelbësore për të luftuar në mënyrë efektive infiltrimin e grupeve kriminale të Ballkanit, në veçanti në trajtimin e rreziqeve të korrupsionit dhe forcimin e sigurisë së porteve evropiane. Dobësitë e punonjësve të portit ndaj rekrutimit kriminal mbeten jo mjaftueshëm të trajtuara, pasi që përpjekjet aktuale janë të kufizuara në udhëzime të përgjithshme dhe jo në strategji të zbatueshme. Këto masa mund të përfshijnë krijimin e një partneriteti me Rrjetin Detar Kundër Korrupsionit,55 një iniciativë e udhëhequr nga industria, e shpërblyer me çmim, që përfaqëson më shumë se 50% të tonazhit global të transportit detar dhe bashkëpunon me qeveritë dhe shoqërinë civile.
Përderisa nevoja për të gjurmuar dhe konfiskuar pasuritë virtuale të blera me fitime kriminale njihet në deklaratën e Hamburgut, nuk ka përgjigje taktike të mjaftueshme për të kundërshtuar lëvizshmërinë dhe përshtatshmërinë e rrjeteve kriminale, duke përfshirë ato nga Ballkani, të cilat shpesh shfrytëzojnë pikat e dobëta të ligjzbatuesve.
Vëmendje më e madhe nevojitet gjithashtu për rolin e ndërmjetësve, siç janë grupet ballkanike që menaxhojnë logjistikën në Evropë dhe lidhjen e tyre me vendet e origjinës. Bashkëpunimi në mes të autoriteteve ligjzbatuese dhe portuale të Evropës Perëndimore dhe Ballkanit për të kapur drogën përpara se të mbërrijë në portet evropiane është i pazhvilluar dhe kërkon përmirësim të ndjeshëm. Për shembull, asnjë nga portet në Ballkan nuk është pjesë e Aleancës Evropiane të Porteve, duke lënë një boshllëk në koordinimin e përpjekjeve. Kjo është e rëndësishme pasi që rruga detare ballkanike sjell kokainë nga Amerika Latine dhe heroinë nëpërmes Turqisë dhe Lindjes së Mesme në Ballkan përmes porteve kryesore tregtare në detet Adriatik, Egje, të Zi dhe Jon.56
Shënime
-
Porti i Hamburgut, Statistikat: Trajtimi i ngarkesave. ↩
-
Ministria Federale e Punëve të Brendshme (Gjermani), Zusammen wirksam Drogenkriminalität bekämpfen, 7 maj 2024. ↩
-
Zyra Federale e Policisë Kriminale (Gjermani), Bundeslagebild Rauschgiftkriminalität 2023, 26 qershor 2024. ↩
-
Policia e Hamburgut, Polizeiliche Kriminalstatistik 2023, 8 shkurt 2024. ↩
-
Për më shumë detaje, shih Daneil Sager/Deutsche Welle, Kokaina për Gjermani, YouTube, 23 nëntor 2023. ↩
-
Radmila Grbić, Kod tužioca ćutali o švercu pola tone kokaina, pa vraćeni u policiju, Libertas, 10 dhjetor 2024. ↩
-
Siniša Luković dhe Jelena Jovanović, Uhapšen Baranin: Pola tone kokaina zaplijenjeno na brodu Budva u Njemačkoj, Vijesti, 2 maj 2020. ↩
-
Radmila Grbić, Kod tužioca ćutali o švercu pola tone kokaina, pa vraćeni u policiju, Libertas, 10 dhjetor 2024. ↩
-
Siniša Luković dhe Jelena Jovanović, Radulović pušten iz pritvora u Njemačkoj, Vijesti, 2 nëntor 2020. ↩
-
Mutmaßlicher Drogenboss nach Hamburg ausgeliefert, Norddeutscher Rundfunk, 15 nëntor 2024. ↩
-
Frank Drieschner, ‘Der Hai’: Berüchtigter Drogenboss nach Hamburg ausgeliefert, Die Zeit, 14 nëntor 2024. ↩
-
Transporti i drogës drejt Gjermanisë – sekuestrohen në Tiranë pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut, Insajderi, 29 mars 2024; SPAK, Komunikatë për shtyp, 29 mars 2024. ↩
-
Në vitin 1994, Doboshi u dënua në Norvegji për drejtimin e një rrjeti që furnizonte Evropën Perëndimore me heroinë. Për më shumë detaje, shih Oskar Aanmoen, Atë herë kur Princi i Kurorës Haakon pothuajse u rrëmbye, Royal Central, 28 dhjetor 2019. ↩
-
Gjermani: Policia e Hamburgut sekuestroi 2 ton kokainë me vlerë 100 milionë euro, Deutsche Welle, 27 shtator 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Intervistë me Fatjona Mejdini, Drejtoreshë e Observatorit të Evropës Juglindore, GI-TOC, dhjetor 2024, online. ↩
-
Po aty. ↩
-
Zyra Federale e Policisë Kriminale (Gjermani), Bundeslagebild Organisierte Kriminalität 2023, 5 shtator 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Intervist me Ruggero Scaturro, GI-TOC analist i lartë, janar 2025, online. ↩
-
Intervistë me një gazetar investigativ, Hamburg, tetor 2024. ↩
-
Zyra Federale e Policisë Kriminale (Gjermani), Bundeslagebild Organisierte Kriminalität 2023, 5 shtator 2024. ↩
-
Claas Meyer-Heuer dhe Roman Lehberger, Jagd auf mutmaßlichen Clan-Paten: Die Akte Osmani, Der Spiegel, 5 maj 2022; Julia Jüttner, Osmani-Prozess: Aufmarsch der Nadelstreif-Angeklagten, Der Spiegel, 4 mars 2008; Insa Gall, Der Fall Osmani erschüttert Hamburg, Welt, 18 gusht 2006; intervistë me një gazetar investigativ në Hamburg, Gjermani, tetor 2024. ↩
-
Po aty. Zyra Federale e Policisë Kriminale (Gjermani), Bundeslagebild Organisierte Kriminalität 2023, 5 shtator 2024. ↩
-
Bashkim Osmani: ‘Bogatstvo sada ulažem u Istru’, Nacional, 28 gusht 2007. ↩
-
Intervistë me një gazetar investigativ, Hamburg, Gjermani, tetor 2024. ↩
-
Claas Meyer-Heuer dhe Roman Lehberger, Jagd auf mutmaßlichen Clan-Paten: Die Akte Osmani, Der Spiegel, 5 maj 2022. ↩
-
Intervistë me një gazetar investigativ, Hamburg, Gjermani, tetor 2024. ↩
-
André Zand-Vakili, Kokainschmuggel? Europol verhaftet Bashkim Osmani, Hamburger Abendblatt, 17 shkurt 2022. ↩
-
Andrew Ede, Bosi i dyshuar i mafias lirohet me kusht, Majorca Daily Bulletin, 1 qershor 2022. ↩
-
Intervistë me një ekspert lokal për drogat, Hamburg, tetor 2024. ↩
-
Top Channel Albania, Arrestohen tre shqiptarë në Hamburg, policia sekuestron 240 kg kokainë, YouTube, 5 tetor 2023. ↩
-
Po aty. ↩
-
Intervistë me një gazetar investigativ, Zagreb, Kroaci, dhjetor 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Šariću pravosnažno 15 godina zatvora za šverc kokaina, RTS, 9 nëntor 2020. ↩
-
Krijumčari 339 kg kokaina na slobodi: U spektakularnoj akciji ulovili ih s drogom iz Brazila, sudili im godinama, a oni se na kraju nagodili s Uskokom, Jutarnji List, 5 prill 2017. ↩
-
Željko Petrušić, Otkriveni detalji akcije DOGMA: Kako je razbijena balkanska narko hobotnica i njen hrvatski krak, Jutarnji List, 24 maj 2011. ↩
-
Zyra për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Kroaci), Optužnica protiv Petra Ćosića i ostalih, KO-US-19/2023, 12 prill 2023. ↩
-
Po aty. ↩
-
Forcat evropiane të ligjzbatimit sekuestruan mbi 30 ton kokainë të lidhur me operacionet e kartelit Tito dhe Dino, aktivitetet e të cilit shtrihen edhe në pastrim parash dhe lidhje të dyshuara me figura politike në Bosnje dhe Hercegovinë. Për më shumë detaje, shih Azem Kurtic, Fuçitë e kaltra, bartësit e papërshkueshëm nga uji: Nga një refugjat boshnjak në bos ndërkombëtar të drogës, Balkan Insight, 29 maj 2024. ↩
-
Zdravko Ljubas, Ligjzbatuesit nga BE-ja së bashku me ato të Emirateve të Bashkuara Arabe godasin klanin Tito dhe Dino, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, 29 nëntor 2022. ↩
-
Departamenti Amerikan i Thesarit, Thesari synon akterët në Bosnjë dhe Hercegovinë që minojnë stabilitetin dhe nxisin korrupsionin, 15 mars 2023. ↩
-
Po aty; Daniel Brombacher dhe Sarah Fares, Dhuna pa kufij: Pse dhuna e lidhur me drogën po përhapet në Gjermani?, GI-TOC, 2 shtator 2024. ↩
-
Zyra Speciale e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Malit të Zi, Optužnica protiv Radoje Zvicera i ostalih, Kt-S. 172/22, 30 dhjetor 2023. ↩
-
Europol, Dekodimi i rrjeteve kriminale më kërcënuese të BE-së, 11 tetor 2024. ↩
-
Intervistë me përfaqësues të ligjzbatimit, Hamburg, tetor 2024. ↩
-
Porti i Hamburgut, Aleanca ndërkombëtare kundër krimit të lidhur me drogën, 31 janar 2024. ↩
-
Komisioni Evropian, Aleanca Evropiane e Porteve për luftimin e trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar, 24 janar 2024. ↩
-
Porti i Hamburgut, Kampf gegen internationale Drogenkriminalität: Hafensicherheitszentrum offiziell eröffnet, 31 maj 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Ministria Federale e Brendshme dhe Komunitetit (Gjermani), Deklarata e Hamburgut e Koalicionit të Vendeve Evropiane kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, 7 maj 2024. ↩
-
GI-TOC, Monitoruesi Evropian i Trendeve të Drogës, Publikimi 1, 9 dhjetor 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Për më shumë detaje, shih veb faqen e Rrjeti Detar Kundër Korrupsionit. ↩
-
Për më shumë detaje, shih Ruggero Scaturro dhe Walter Kemp, Vrimat e portit: Eksplorimi i rrugëve detare të Ballkanit, GI-TOC, korrik 2022. ↩