Shpresat e mëdha: Rrugëtimi i Shqipërisë drejt kanabisit mjekësor.
Shqipëria është në rrugën drejt legalizimit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, me sinjale të hapave të rritjes gradualë, duke përfshirë krijimin e një organi rregullator kombëtar, miratimin e një kornize ligjore dhe anëtarësimin në një organ rregullator ndërkombëtar. Përderisa këto zhvillime janë inkurajuese, qeveria do të bënte mirë të kushtojë vëmendje mësimeve nga Maqedonia e Veriut, ku licencat dyshohet se në fund u kanë sjellë dobi personave të ekspozuar politikisht dhe kanabisi i kultivuar ligjërisht është devijuar në tregun e paligjshëm rekreativ. Një kornizë e fuqishme është thelbësore, duke pasur parasysh se grupet kriminale shqiptare historikisht kanë pasur një dorë të rëndësishme në tregtinë e paligjshme të kanabisit.
Historikisht, Shqipëria ka fituar një reputacion të keq si një burim kryesor i kanabisit në Ballkanin Perëndimor. Në të vërtetë, kanabisi ka qenë një treg i konsiderueshëm i paligjshëm në vend, duke gjeneruar një burim fitimprurës të të ardhurave për grupet kriminale. Autoritetet filluan ta trajtojnë problemin në vitin 2014, kur policia dhe forcat speciale u angazhuan në një betejë të gjatë me armë me mafian lokale në fshatin Lazarat në jug të vendit, që ishte epiqendra e kultivimit të paligjshëm.1

Një operacion policor në Lazarat në vitin 2014 shënoi efektshëm fillimin e goditjes së Shqipërisë kundër tregtisë së paligjshme të kanabisit.
Fotografia: Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë/Agjencia Anadolu/Getty Images
Pas asaj goditjeje, kultivimi i kanabisit u bë në shkallë më të vogël dhe më i shpërndarë, duke u zhvendosur nga fushat e mëdha në jug të vendit në parcela më të vogla në rajonet malore në veri, si dhe në kultivim në ambiente të mbyllura. Disa kultivues shqiptarë të kanabisit morrën rrugë dhe çuan aftësitë e tyre të paligjshme në Holandë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Duke marrë parasysh këtë kontekst historik, erdhi si surprizë kur Kryeministri Edi Rama njoftoi në maj të vitit 2020 se qeveria po përgatiste një projektligj që do të legalizonte kultivimin e marihuanës për qëllime mjekësore. Rrjedhimisht, në korrik të vitit 2023, parlamenti miratoi një ligj që përcaktonte një kornizë fillestare për kultivimin e ligjshëm të kanabisit dhe Shqipëria krijoi një Agjenci Kombëtare për Kontrollin e Cannabis-it (AKKC) në vitin 2023.2
Së fundi, në nëntor të vitit 2024, agjencia kombëtare i është bashkuar Shoqatës së Rregullatorëve të Kanabisit (CANNRA), një organizatë jo-partiake dhe jo-fitimprurëse që përfshin agjenci qeveritare të përfshira në rregullimin e kanabisit, kanabinoideve dhe kërpit në më shumë se 45 shtete të SHBA-së, si dhe në Kanada, Holandë dhe Maltë. Shoqata lidh qeveritë që punojnë në zbatimin e politikave të kanabisit dhe kërpit, dhe promovon të mësuarit, bashkëpunimin dhe koordinimin.3
Duke marrë parasysh këtë, qasja graduale është inkurajuese. Rama kishte informuar, duke e bërë të qartë që në fillim se qeveria do të koordinohet ngushtë me këshilltarët e huaj dhe vendas. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e të mësuarit nga përvojat e vendeve të tjera me kanabisin mjekësor.4
Kultivimi i ligjshëm i kanabisit synon të tërheqë investime të huaja dhe të diversifikojë ekonominë. Megjithatë, problemet historike të vendit me kultivimin e paligjshëm të kanabisit në lidhje me krimin e organizuar ngrenë shqetësime të qarta në lidhje me mbikëqyrjen dhe zbatimin.5
Mësimet nga Maqedonia e Veriut
Një shqetësim i madh është potenciali për devijim të kanabisit të kultivuar ligjërisht në tregun e zi. Ka mësime për t’u nxjerrë, jo më larg se nga përvoja e Maqedonisë së Veriut, ku kultivimi dhe eksporti i kanabisit mjekësor u miratua në vitin 2016.
Në disa raste të dokumentuara, kanabisi i prodhuar ligjërisht në Maqedoninë e Veriut përfundoi duke u shitur në sasi të konsiderueshme në tregun e paligjshëm.6 Autoritetet kanë kryer disa operacione kundër kompanive të licencuara të dyshuara për shkelje të rregulloreve dhe shpërndarje të paligjshme, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje të rreptë për të parandaluar keqpërdorimin e kanabisit të prodhuar ligjërisht.7
Një rrezik tjetër i madh është ai i korrupsionit në lëshimin e licencave. Ka pretendime se partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut kanë tendencë të favorizojnë bashkëpunëtorët kur japin licenca dhe se procesi i tenderimit tërhoqi biznesmenë të dyshimtë (domethënë ata me dënime të rënda penale) si brenda ashtu edhe jashtë vendit.8
Ka gjithashtu kritika se janë lëshuar shumë licenca; gati 70 kompani kanabisi u regjistruan deri në mars të vitit 2024, pavarësisht një tregu të kufizuar për kanabisin mjekësor në Maqedoninë e Veriut.9 Aktualisht nuk ka asnjë qëllim për të kufizuar numrin e licencave të lëshuara.
Hapat fillestarë të Shqipërisë: një fillim i mirë?
Është e qartë se qeveria e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të konsiderueshme rrezikut të devijimit në të paligjshmen. Kundërshtimi i përpjekjeve të tilla është nën juridiksionin e Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Cannabis-it të lartpërmendur, një subjekt ligjor publik i financuar nga buxheti nën patronatin e ministrisë së shëndetësisë.
Misioni i saj është të mbikëqyrë, kontrollojë dhe inspektojë kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale, si dhe të monitorojë zbatimin e ligjit të korrikut 2023.10 Në prill 2024, qeveria miratoi strukturën e agjencisë, e cila përbëhet nga një drejtor gjeneral, një koordinator dhe katër drejtori.11
Disa akte nënligjore dhe rregullore janë miratuar dhe publikuar nga qeveria shqiptare; të tjera janë në finalizim. Rregulloret përcaktojnë që kultivimi mund të kryhet në tokë bujqësore të mbrojtur, në serra ose tunele plastike, si dhe në ambiente të mbyllura të pajisura me ndriçim artificial.
Nëse kultivimi zhvillohet në zona të hapura, do të jetë e detyrueshme që pjesa e jashtme të mbrohet nga një mur i qëndrueshëm betoni të paktën katër metra i lartë dhe 25 centimetra i trashë (dhe mbi te të ketë tela me gjemba). Ambientet duhet të monitorohen nga kamera me cilësi të lartë dhe të ruhen 24/7 nga personel i autorizuar sigurie.12
Përveç kësaj, do të kërkohet edhe përdorimi i pajisjeve elektronike të sigurisë me teknologji të lartë (siç janë detektorët dhe portat me kontroll), ndërsa sinjali i alarmit duhet të jetë i lidhur me një stacion policie dhe qendrën e komandës.13 Subjekti i licencuar duhet gjithashtu t’i japë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Cannabis-it qasje në kamerat në kompleksin e tyre, për të siguruar monitorim të pavarur.14
Transporti i kanabisit dhe nënprodukteve duhet të kryhet me automjete të plumbosura që sigurojnë që të mos manipulohet me produktin. Sa herë që një subjekt i licencuar dëshiron të transportojë produkte të ligjshme të kanabisit nga një vend në tjetrin, ai duhet të informojë Regjistrin Kombëtar të Aktiviteteve të Licencuara dhe të Lejuara të Cannabis-it dhe Policinë e Shtetit të paktën pesë ditë më parë. Ndërkohë, ruajtja u besohet kompanive private të sigurisë ose kompanisë shtetërore të sigurisë Illyrian Guard; këtyre kompanive do t’u kërkohet të mbajnë praninë e sigurisë së vazhdueshme 24-orëshe.15
Procesi i licencimeve pritet të filloj,16 por pa dyshim që ato do të jenë shumë të kërkuara.
Përderisa industria e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut ka hasur vështirësi për shkak të kërkesës së kufizuar të brendshme dhe barrierave të eksportit, Shqipëria mund të perceptohet ndryshe nga investitorët falë klimës së saj bujqësore, kostove më të ulëta të prodhimit dhe narrativës pro-biznes nga qeveria. Nëse Shqipëria arrin të sigurojë qartësi rregullatore dhe të sigurojë tregjet e eksportit — veçanërisht në vendet e BE-së ku kërkesa është në rritje — industria mund të bëhet shumë fitimprurëse.
Aplikimi për licencë do të kushtojë rreth 1 000 euro. Pas vitit të tretë, mbajtësit e licencave do të paguajnë një tarifë vjetore prej 1.5% të qarkullimit të tyre ndaj qeverisë, por jo më pak se 100 000 euro. Një licencë për prodhimin e kanabisit mjekësor do të lëshohet për një periudhë 15-vjeçare, me mundësi rinovimi në bazë të kërkesës. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të kalojë 200 hektarë në të gjithë vendin.17 Sipas legjislacionit dhe rregulloreve, aplikuesit nuk duhet të jenë nën hetim ose të jenë dënuar për një vepër të rëndë penale, nuk duhet të jenë përdorues droge, si dhe duhet t’i nënshtrohen verifikimeve shtesë të së kaluarës.18
Megjithatë, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të adresuar shqetësimet në lidhje me mundësinë e korruptimit të procesit të dhënies së licencave. Sa i përket rezistencës ndaj krimit të organizuar, Shqipëria renditet e 84-ta në nivel global në Indeksin Global të Krimit të Organizuar të GI-TOC, poshtë Maqedonisë së Veriut e cila gjendet në vendin e 73-të, duke treguar se integriteti i blerjes së licencave të Shqipërisë mund të jetë edhe më i ekspozuar ndaj shfrytëzimit nga akterët e lidhur politikisht.19
Të ardhurat e gjeneruara nga lëshimi i licencave do të shkojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa të ardhurat nga tarifa vjetore e paguar nga subjektet e licencuara do të shpërndahen 70:30 në mes të buxhetit të shtetit dhe AKKC-së.20
Një sfidë tjetër do të jetë sigurimi që të ardhurat e taksave të rritura nga kanabisi i ligjshëm nuk shihen vetëm si një burim i vazhdueshëm i parave, por ato të përdoren për të përmirësuar sistemin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht në aspektin e trajtimit të pacientëve dhe mbështetjes sociale.21 Kjo do të kërkojë transparencë të shtuar në menaxhimin e të ardhurave dhe bashkëpunim më të ngushtë në mes të ministrive përkatëse dhe aktorëve të tjerë, siç është shoqëria civile.
Thjeshtë, autoritetet shqiptare duhet të marrin parasysh përvojën e Maqedonisë së Veriut në krijimin e një kornizë rregullatore për kanabisin mjekësor. Ndërkohë që ka prova të qarta se është bërë një kujdes i konsiderueshëm për parandalimin e devijimit të paligjshëm të kanabisit të kultivuar ligjërisht në tregun e zi, ekziston shqetësimi në lidhje me rrezikun e korrupsionit në lëshimin e licencave — dhe mënyrën se si këto rreziqe do të trajtohen siç duhet.
Shënime
-
Shih Ruggero Scaturro dhe Giorgio Fruscione, Përtej ideologjisë: Ekstremizmi i dhunshëm dhe krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor, GI-TOC, mars 2025, faqe 30–31. ↩
-
Projektligji, i titulluar “Për Kontrollin e Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Cannabis-it dhe Prodhimit të Nënprodukteve të Saj për Qëllime Mjekësore dhe Industriale”, u miratua pas një debati të konsiderueshëm publik dhe parlamentar. ↩
-
AKKC, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it bëhet anëtare e CANNRA, nëntor 2024. ↩
-
Shqipëria afër legalizimit të marihuanës mjekësore, Exit News, 9 maj 2020. ↩
-
Kanabisi mjekësor/‘S’duhet të jenë përdorues droge’ — Zbardhet udhëzimi për pastërtinë e figurës së pronarëve! Ja kriteret që duhet të plotësojnë, Panorama, 17 tetor, 2024. ↩
-
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, biznesi i legalizuar i kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut është në rrezik të marrjes së kahut kriminal, Buletini i Rrezikut, Numri 19, GI-TOC, gusht 2024. ↩
-
Po aty. ↩
-
Intervistë me Janaki Mitrevskin, një avokat me seli në Maqedoninë e Veriut. ↩
-
Intervistë me HOPS, një OJQ me seli në Maqedoninë e Veriut. ↩
-
AKKC, Kompetencat e Agjencisë. ↩
-
AKKC, Miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-IT, 23 shkurt 2024. ↩
-
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Janar 2025, 22 janar 2025. ↩
-
Po aty. ↩
-
Po aty. ↩
-
Kanabisi mjekësor, Qeveria përcakton kriteret e kultivimit: Parcela, me mure 4 metra të lartë e sinjale alarmi në polici! Serverat e kamerave monitoruese në BE, Shqiptarja.com, 9 janar 2025. ↩
-
AKKC, deklaratë zyrtare nga një kërkesë e FOIA-s. ↩
-
Indeksi Global i Krimit të Organizuar, Kriminaliteti në Shqipëri, GI-TOC, 2023. ↩
-
AKKC, Vendim për procedurën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, 16 tetor 2024. ↩
-
Intervistë me HOPS, Maqedonia e Veriut. ↩