Global Organized Crime Index
Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore
Përmbledhje e pikave kryesore
-
Lidhjet midis politikës, etnisë dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës.
Në mes të tetorit, policia e Kosovës hyri në qytetin e Mitrovicës në kuadër të një vargu operacionesh që kishin për synim goditjen e krimit të organizuar. Shpejt, ai që filloi si operacion i shënjestruar i agjencive ligjzbatuese u shndërrua shpejt në përplasje midis policisë dhe qytetarëve të inatosur. Veriu i Kosovës shpesh karakterizohet si vatër e krimit të organizuar, por si duket bota e krimit në veri të lumit Ibër?
-
Çfarë ndikimi mund të ketë te krimi i organizuar nisma “Ballkani i Hapur”?
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia po bëjnë përpara duke u mbështetur në idenë e një nisme “Ballkani të Hapur” për krijimin e një zone ekonomike, e cila do të përmirësonte më tej marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe do të fuqizonte lidhjet kulturore midis këtyre vendeve. Përpjekjet për të nxitur rritjen e integrimit rajonal, qoftë nëpërmjet nismës “Ballkani i Hapur”, qoftë nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, duhet të shfrytëzohen edhe si mundësi për të fuqizuar bashkëpunimin rajonal midis agjencive të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar.
-
Grupet kriminale në Shqipëri shfrytëzojnë gjakmarrjen.
Shoqëria shqiptare ndonjëherë portretizohet si e dhunshme për shkak të normave të saj të vrazhda kulturore, siç është gjakmarrja. Por kjo praktikë kufizohet kryesisht në veri të Shqipërisë dhe përdorimi i saj është duke u pakësuar. Pavarësisht kësaj, gjakmarrja përdoret si instrument nga grupet e krimit të organizuar për të fuqizuar faktorin e frikës dhe është keqpërdorur nga disa azilkërkues që kanë përdorur vërtetime të rreme për të mbështetur pretendimet e tyre se janë viktima të gjakmarrjes.
-
Nismat lokale: Dialogët për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor.
Në tetor dhe nëntor, Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore vazhdoi të zhvillonte “Dialogët për qëndrueshmërinë” në të gjashtë kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, ku pjesëmarrësit morën pjesë fizikisht. Diskutime të gjalla u zhvilluan në Tiranë, Beograd, Sarajevë dhe Prishtinë. Takimet ishin një mundësi ku organizatat e shoqërisë civile (OSHC) mund të mblidheshin dhe shkëmbenin pikëpamjet lidhur me veprimtaritë aktuale dhe për të diskutuar sfidat me të cilat përballen në punën e tyre. Disa prej diskutimeve më dinamike u zhvilluan midis përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe atyre të qeverisë në lidhje me mënyrën se si mund të bashkëpunojnë në mënyrë më efikase në lidhje me tema të tilla si emigracioni, korrupsioni dhe droga.
-
T’i vësh shqelmin krimit: Përdorimi i arteve marciale për të fuqizuar rininë shqiptare.
Në kuadër të serisë sonë të bisedave me përfaqësues nga OSHC-të në Ballkanin Perëndimor, të cilët janë duke fuqizuar qëndrueshmërinë lokale ndaj krimit të organizuar, ne biseduam me Elion Pukën, mjeshtër i arteve marciale dhe drejtues i klubit “Vllaznia Taekwondo” në Shkodër të Shqipërisë, në lidhje me punën e tij në kuadër të përdorimit të arteve marciale për të fuqizuar të rinjtë dhe për t’i mbajtur ata larg krimit.
Rreth këtij numri
Mirë se vini në numrin e njëmbëdhjetë të “Buletinit të rreziqeve”, i cili është rezultat i punës së Observatorit të Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore (“SEE-Obs”) të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC). Si zakonisht, fillojmë me një profil të vatrës së krimit të organizuar: këtë herë me rajonin e veriut të Kosovës. Këtu shqyrtojmë se çfarë është duke ndodhur prapa retorikës politike dhe shohim më nga afër ekonominë kriminale në këtë nënrajon, sidomos kontrabandimin e mallrave të ligjshëm.
Edhe pse ka pasur shumë bujë lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”, nuk ka munguar skepticizmi. Do të shohim rrjedhojat e mundshme që ka hapja e mëtejshme e kufijve te tregjet kriminale dhe do të theksojmë nevojën për rritje të bashkëpunimit rajonal në fushën e zbatimit të ligjit. Ne paralajmërojmë se, ajo që nuk duhet bërë, të paktën në fillim, është krijimi i një tjetër organi rajonal të zbatimit të ligjit: numri i organeve të tilla është i mjaftueshëm tani për tani, në mos i tepërt. Megjithëkëtë, ekziston nevoja për më shumë bashkëpunim dhe koordinim, të cilët mund të përmirësohen duke përdorur në mënyrë më efektive organet si procesi i Qeverisjes Integrative në rrafshin e Sigurisë së Brendshme, i cili është pjesë e përpjekjeve të BE-së për përmirësimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në fushën e sigurinë.
Gjithashtu, do të paraqesim edhe një pasqyrë të përgjithshme të katër dialogëve për qëndrueshmërinë, të cilët u organizuan nga Observatori në tetor dhe nëntor, pas takimit fillestar të mbajtur në shtator në Shkup. Këto takime u zhvilluan në Tiranë, Beograd, Sarajevë dhe Prishtinë duke zbatuar rregullat e institutit “Chatham House” (sipas të cilit, lejohet raportimi i informacioneve të shpalosura, por pa identifikuar burimin), prandaj është e vështirë t’i japësh lexuesit të kuptojë si është energjia në sallë ose kur zhvillohen diskutime të gjalla, sidomos ato që u zhvilluan midis përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe atyre të qeverisë. Megjithatë, këto takime ishin me rëndësi jetike për ndërtimin e urave midis gazetarëve investigativë, akademikëve dhe përfaqësuesve të OJQ-ve, si dhe midis shoqërisë civile dhe qeverisë. Gjithashtu, këta dialogë përbënin një mundësi edhe për të ekspozuar punën e GI-TOC-së në rajon pas pothuaj dy vitesh pandemie “KOVID-19”, për të ripërtëritur kontaktet, krijuar partneritete të reja dhe fuqizuar rrjetet kundër krimit të organizuar. Takimi i fundit i serisë do të zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi në mes të dhjetorit.
Gjakmarrja në Shqipëri është një praktikë që vazhdon të mbulohet nga njëfarë sekreti dhe misteri. Gjakmarrja, e cila i ka fillesat në një zakon të shekullit të 15-të, vazhdon të ekzistojë edhe sot në disa vende të Shqipërisë, sidomos në veri të vendit. Viktimat e mundshme ngujohen në shtëpitë e tyre në mënyrë të përhershme ose arratisen ose drejt pjesëve të tjera të Shqipërisë, ose jashtë vendit. Duke u mbështetur në burimet parësore, ne do të shqyrtojmë se sa e përhapur është praktika, lidhjet që ajo ka me krimin e organizuar dhe se çfarë hapash po ndërmarrin autoritetet shqiptare për ta adresuar atë.
Në fund, zhvillojmë një intervistë me përfituesin e “Fondit të Qëndrueshmërisë”, Elion Pula, mjeshtër i taekuondusë, i cili u kthye nga Italia në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, për t’u mësuar arte marciale të rinjve në komunitet. Ne bisedojmë me të lidhur me kërcënimin që përbën krimi i organizuar në Shkodër dhe se si mund ta fuqizojë sporti aftësinë e të rinjve për t’i bërë ballë krimit të organizuar dhe dhunës.
Referencat për Kosovën në këtë “Buletin të Rrezikut” janë bërë pa cenuar pozicionet lidhur me statusin e vendit dhe janë në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë nga Kosova.
Nëse dëshironi të sugjeroni ndonjë histori ose të bëni komente, jeni të lutur të na kontaktoni në adresën e e-mailit: almedina.dodic@globalinitiative.net.