Ndërprerja e ciklit të kriminalitetit: Një strukurë e posaçme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri
Në këtë intervistë ekskluzive kemi biseduar me Arben Krajën, Drejtues i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një organ kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Çfarë elementesh të reja po sjell SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri?
SPAK është një strukturë e re, e ngritur në kuadër të procesit të reformës gjyqësore në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë po ngrihet një strukturë e përkushtuar për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, duke i kushtuar vëmendje të veçantë këtyre dy elementëve dhe duke e konsideruar si përparësi luftën ndaj tyre.
SPAK e filloi aktivitetin në Dhjetor 2019 dhe është ende në zhvillim e sipër. Kjo strukturë është përgjegjëse për hetimin dhe marrjen e vendimeve për raste korrupsioni të nivelit të lartë, ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Një nga elementet e reja më të rëndësishme të kësaj strukture është pavarësia e saj; asnjë nga prokurorët e saj nuk emërohen nga Parlamenti ose ndonjë organ tjetër që ndikohet nga politika. Prokurorët e SPAK-ut emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ne i raportojmë Këshillit dhe Parlamentit. Ne gjithashtu gëzojmë një nivel të lartë pavarësie në lidhje me buxhetin tonë. Ne i paraqesim buxhetin tonë operacional ministrisë së financave; dhe në rast se ministria nuk bie dakord me të, ne mund t’i drejtohemi parlamentit për të zgjidhur këtë problem. Për më tepër, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), që shërbejnë si policia gjyqësore e strukturës, emërohen nga prokurorët e SPAK dhe janë krejtësisht të pavarur nga strukturat e tjera. SPAK gjithashtu ka gjykatat e saj të posaçme të shkallës së parë dhe apelit. Të gjithë këto elemente krijojnë një bazë të mirë që të punojmë dhe të japim maksimumin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë të pavarur, të lirë nga ndikimet politike dhe ndikimet e tjera.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar?
Grupet e organizuara kriminale po e shtojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe në vende të tjera, edhe duke përfituar nga mundësitë që ofrohen nga globalizimi. Grupet kriminale shqiptare nuk janë aktive vetëm në vendin tonë, por edhe në Evropën Perëndimore dhe Amerikën Latine. Si rezultat, sfidat që na dalin përpara nuk janë aspak të vogla.
Për sa i përket pozicionit gjeografik, Shqipëria është një vend tranzit në udhëkryqin midis Lindjes dhe Perëndimit. Për sa i përket kriminalitetit, vëmë re se grupet nga Shqipëria janë përfshirë në një sërë trafiqesh të ndryshme. E para është eksporti i kanabisit të prodhuar në vend, i cili shkon kryesisht drejt Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së. Po shohim gjithnjë e më shumë shqiptarë që udhëtojnë në vendet e Amerikës Latine ku prodhohet kokainë. Kjo kokainë më vonë transportohet në Shqipëri, Greqi dhe vende të tjera evropiane. Është gjithashtu e rëndësishme të përmendet edhe përfshirja e shqiptarëve në trafikun e heroinës.
Në të njëjtën kohë, na duhet të kapërcejmë dhe të lëmë pas përvojat e këqija të së kaluarës, kur pandëshkueshmëria ishte shumë e përhapur. Duhet të pranojmë se në Shqipëri në të kaluarën kishte raste kur njerëzit ishin përfshirë qartë në krimin e organizuar ose korrupsion, por nuk ndëshkoheshin. Kjo krijoi një efekt domino, pasi nëse një person nuk ndëshkohet, dhjetëra apo edhe qindra të tjerë fillojnë të përfshihen në po ato veprimtari kriminale ose korrupsion pa ndonjë frikë të madhe. Për këtë arsye, një nga sfidat më kryesore (pervec luftë s ndaj krimit) është korrupsioni dhe mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë përsa i përket abuzimit me prokurimet publik, administrimin e pronave shtetërore, dhe në përgjithësi mënyrën se si i ushtrojnë funksionet publike që u janë ngarkuar.
Një sfidë tjetër e madhe është lufta kundër pasurive dhe aseteve të akumuluara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Këto fonde dhe asete kanë një efekt shumë negativ në ekonominë e vendit, tregun e lirë dhe konkurrencën e drejtë. Për më tepër, disa nga këto pasuri përdoren nga grupe kriminale për të financuar veprimtaritë e tyre dhe për të fuqizuar aktivitetin, si dhe për të korruptuar zyrtarë, duke krijuar kështu një cikël kriminaliteti të pafund. Kështu, për ne, ndërprerja e këtij cikli ka rëndësi të dorë së parë.
Ju përmendët shtimin e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare jashtë vendit, kryesisht në Evropën Perëndimore, por edhe në Amerikën Latine. Çfarë jeni duke bërë në këtë drejtim?
Po, ky është një shqetësim dhe prioriteti ynë është goditja e aktiviteteve të tyre në këto vende. Pavarësisht se ku ndodh krimi, ai paraqet rrezik për të gjitha vendet, edhe pse prekemi dhe ndikohemi në mënyra të ndryshme. Në rastin tonë, produktet dhe pasojat e aktiviteteve kriminale jashtë vendit depërtojnë në Shqipëri. Për shembull, një pjesë e parave të akumuluara jashtë vendit pastrohen në ekonominë shqiptare. Ka edhe raste kur konflikte që lindin nga trafiku i drogës në vende të tjera përfundojnë me vrasje në Shqipëri. Për këto arsye, nuk mund të rrimë duarkryq dhe të mohojmë përgjegjësinë, por duhet të punojmë së bashku dhe të përpiqemi e të bëjmë çmos për të goditur këto aktivitete. Në fakt, kur filluam të punojmë me këto raste, arritëm të kuptonin se këtë luftë nuk mund ta zhvillonim si të vetmuar, por duhej një bashkëpunim i ngushtë me homologët tanë në vende të tjera. Për këtë arsye, krijimi i kontakteve të rregullta me partnerët tanë ka qenë një nga përparësitë kryesore që nga dita e pare e punës.
Si bashkëpunoni me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë?
Kemi krijuar një rrjet kontaktesh me ekspertë nga vende të ndryshme me zyra në Shqipëri, si punonjës policie që kryejnë rolin e ndërlidhësit dhe ekspertë prokurorie. Vazhdimisht shkëmbejmë informacione me ta. Po kështu, kemi nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi; e para ishte me Italinë vetëm dy muaj pasi filluam punën. Që atëherë, kemi nënshkruar marrëveshje me prokurori të posaçme në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, dhe jemi në bisedime për të arritur marrëveshje me homologët tanë në Mal të Zi dhe Rumani.
Kemi gjithashtu një marrëveshje bashkëpunimi me prokurorinë federale të Belgjikës, duke pasur parasysh edhe faktin se grupet kriminale shqiptare janë aktive në vendet e Beneluksit. Përveç kësaj, kemi krijuar kontakte me Eurojust. Aktualisht, një prokuror i SPAK na përfaqëson pranë kësaj agjencie, dhe kjo është një arritje e rëndësishme. Duke qenë se Shqipëria nuk është pjesë e BE-së, përballemi me disa kufizime, por kjo nuk na ka penguar që të bëhemi pjesë e ekipeve të përbashkëta hetimore të koordinuara nga kjo agjenci.
Mbajmë gjithashtu kontakte të përditshme me përfaqësuesin e Europol në Shqipëri dhe shpresojmë që së shpejti të arrijmë një marrëveshje zyrtare me këtë agjenci. E gjithë kjo është realizuar brenda një periudhe kohore goxha të shkurtër. Për shkak të rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar, ne kemi ngritur një zyrë brenda prokurorisë që merret me marrëdhëniet ndërkombëtare, duke u fokusuar tek mbajtja e kontakteve me homologët dhe shkëmbimin e informacionit.
Ka rëndësi vendimtare që të fitojmë besimin e partnerëve tanë dhe të tregojmë se jemi një institucion profesional, i saktë dhe serioz. Dua të theksoj se besimi ka rëndësi jetike. Në të kaluarën, për arsye nga më të ndryshmet, kishte një nivel të ulët besimi ndaj institucioneve shqiptare të drejtësisë. Ne po përpiqemi ta ndërtojmë këtë besim hap pas hapi. Më lejoni t’ju jap një shembull. Kohë më parë, autoritetet gjermane së bashku me një homologët e tyre shqiptarë kryen një hetim të përbashkët delikat lidhur me krimin e organizuar. Fatkeqësisht, një përfaqësues i lartë i Policisë së Shtetit Shqiptar zbuloi sekrete hetimore të marra nga autoritetet gjermane. Pasi morëm një kërkesë nga Gjermania për të gjetur fajtorin, ne ishim në gjendje që të identifikonim shpejt personin që nxorri informacionin. Ky person tani po përballet me akuza penale. Kjo tregon rëndësinë që po i kushtojmë jo vetëm krijimit të mekanizmave parandaluese, por edhe sjelljes para drejtësisë të atyre që abuzojnë me funksione publike.
Unë mendoj se fakti që po marrim më shumë kërkesa për informacion nga homologët e huaj është reflektim i rritjes së nivelit të besimit. Vitin e kaluar, numri i kërkesave për informacion nga jashtë u dyfishua në krahasim me periudhën para themelimit të SPAK-ut në 2019. Sigurisht, kjo krijon volum më të madh pune për ne, por kemi arritur gjithashtu që të dyfishojmë numrin e përgjigjeve që u kemi dërguar homologëve tanë. I kemi dhënë përparësi këtyre kërkesave dhe u përgjigjemi sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ç’është SPAK?
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që heton rastet e korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar, u krijua si pjesë e reformës gjyqësore dhe u miratua nga parlamenti në verën e vitit 2016.1 Kjo strukturë e pavarur përbëhet nga tre pjesë: Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat e Posaçme të Anti-Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të shkallës së parë dhe apelit.2 BKH shërben si policia gjyqësore e Prokurorisë së Posaçme dhe duhet të ketë nje staf me 60 hetues deri në fund të vitit 2021.3 Prokuroria e Posaçme duhet të përfshijë një staf prej 20 prokurorësh për hetimin dhe ndjekjen e akteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.4 Në krye të strukturës janë gjykatat e posaçme që gjykojnë çështjet nën juridiksionin e SPAK-ut, me gjykatën e apelit në majë të piramidës së këtij sistemi drejtësie.5
Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që bëhen pjesë e SPAK-ut duhet të kalojnë nëpër një proces të plotë verifikimi, si çdo prokuror dhe gjykatës tjetër në vend. Procesi i verifikimit po rezulton mjaft i ngadalshëm; si rezultat, gjykatat e posaçme funksionojnë aktualisht me më pak se gjysmën e numrit të gjyqtarëve të parashikuar. Kjo po dëmton efikasitetin e gjykatave dhe po krijon një numër të madh çështjesh që presin të kalojnë në gjykatë.
Në të kaluarën, sistemi i drejtësisë penale në Shqipëri kishte marrë namin se u mundësonte zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe grupeve të fuqishme të krimit të organizuar të vepronin pa u ndëshkuar. Ky imazh po ndryshon, pjesërisht edhe falë punës së Prokurorisë së Posaçme të SPAK. Ky institucion, që e filloi punën në dhjetor 2019, konsiderohet si një nga strukturat më të rëndësishme në kuadër të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që filloi pesë vjet më parë me mbështetjen e fortë të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë si SHBA dhe BE. Ky institucion ka dhënë që tani rezultatet e para pozitive. Gjatë muajve të fundit, SPAK ka ndërmarrë një sërë hetimesh që kanë sjellë para drejtësisë jo vetëm anëtarë të organizatave të rrezikshme kriminale, por edhe zyrtarë që kanë mbrojtur dhe ndihmuar aktivitetet e tyre të paligjshme.
Ajo ka marrë gjithashtu pjesë në hetime dhe operacione të suksesshme të përbashkëta me homologë jashtë vendit. Sidoqoftë, ka kritika se procesi i krijimit të BKH ka ecur shumë ngadalë, institucionet kanë ende mungesa të mëdha personeli, dhe se SPAK po përqëndrohet vetëm në rastet e nivelit të mesëm, ose në çështje të vjetra.
Çfarë mund të bëhet për të forcuar bashkëpunimin midis prokurorëve në rajon dhe më gjerë në botë?
Grupet kriminale janë më të shkathta sesa institucionet ndërqeveritare në arritjen e marrëveshjeve midis tyre, pasi autoritetet shtetërore përballen me burokraci dhe duhet të ndjekin procedurat e nevojshme për të nisur bashkëpunimin. Prandaj është e rëndësishme që të eliminohen pengesat burokratike dhe të bashkëpunohet në mënyrë më efektshme me homologët tanë jashtë vendit.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme që të ketë më shumë grupe hetimore të përbashkëta si me vendet e BE-së ashtu edhe nga Evropa Juglindore. Grupe të tilla janë një përbërës kryesor në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Për shembull, kemi bashkëpunuar me sukses me kolegët italianë për të shkatërruar një rrjet kriminal me veprimtari si në Itali ashtu edhe në Shqipëri6. Sigurisht, ne duhet të shtojmë rradhët tona me më shumë prokurorë, dhe duhet të konsolidojmë më tej punën e prokurorisë sonë.
Çfarë mandati dhe instrumentesh keni në dispozicion për t’u përballur me aspektet ekonomike dhe financiare të krimit të organizuar?
Identifikimi, bllokimi dhe konfiskimi i aseteve janë pa dyshim një përparësi e SPAK-ut për të gjitha rastet kur hetimet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit na çojnë në përfundimin se pasuritë janë gjeneruar nga aktiviteti i paligjshëm. Ligji antimafia që ka miratuar Shqipëria na ndihmon shumë në lidhje me trajtimin e pjesës financiare të hetimeve tona penale.
Vlen të theksohet fakti se para krijimit të SPAK-ut nuk i kushtohej shumë vëmendje aspekteve financiare dhe ekonomike të krimit të organizuar.
Vetëm gjatë këtë vit kemi ndjekur penalisht 10 deri në 15 persona për pastrim parash, përveç akuzave për përfshirje në krim të organizuar. Për herë të parë, ka pasur dënime të formës së prerë nga gjykatat për akuza për pastrim parash. Sigurisht, këto lloj hetimesh janë të komplikuara dhe kërkojnë kohë, por ne i konsiderojmë me rëndësi të madhe dhe si rezultat jemi të përkushtuar për të bërë punën tonë.
Cilat janë disa nga sfidat me të cilat po përballet SPAK gjatë hetimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë? A ndjeni presion politik?
Ne jemi nën presionin e opinionit publik, që po na nxit të ndëshkojmë zyrtarë të lartë që kanë abuzuar me pushtetin e tyre. Por shpesh ka mospërputhje midis asaj që dëshiron publiku dhe asaj që jemi ne në gjendje të bëjmë. Në fund të fundit, pavarësisht nga perceptimi i publikut, duhet të kemi prova për të ngritur akuza konkrete, dhe t’i paraqitësh me sukses këto provat në gjykatë. Sidoqoftë, hetimi i rasteve të shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të nivelit të lartë është thelbi i misionit tonë. Ne jemi të përkushtuar për të vazhduar luftën pa kompromis.
Ekzistojnë forma të ndryshme presioni. Po të dëgjosh çdo ditë ato që thuhen në media dhe debatet në emisione televizive në lidhje me atë që duhet ose nuk duhet të bëjmë; ne ndiejmë njëfarë presioni. Por si grup pune, ne kemi vendosur të mos ndikohemi nga presioni i jashtëm dhe të vazhdojmë punën tonë.
Nga ana tjetër, ka patur edhe kërcënime fizike që nga moment kur prokurorët tanë filluan të hetojnë rrjete kriminale të rrezikshme. Disa prej tyre janë nën mbrojtje. Por kjo është puna jonë.
Shënime
-
Ligji 95/2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’ dhe Ligji 98/2016 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. ↩
-
Gjykatat e specializuara marrin vendime për rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe akuzat penale kundër zyrtarëve të profilit të lartë të ngritur nga Prokuroria e Posaçme (neni 135, paragrafi 2 i Kushtetutës së Shqipërisë). Gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e shkallës së parë do të përbëhet nga të paktën 16 gjyqtarë; Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përbëhet nga të paktën 11 gjyqtarë. (Neni 15 i Ligjit 98/2016 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’). ↩
-
Nga 60 vende pune të miratuara për hetuesit e BKH, deri në gusht 2021 ishin emëruar vetëm 28 prej tyre, pasi plotësuan kushtet e përcaktuara në ligjin për SPAK. Do të nisë një procedurë tjetër për marjen në punë të 32 hetuesve të tjerë, dhe ka shumë të ngjarë që të fillojë në dhjetor 2021. ↩
-
Prokuroria e Posaçme do të përbëhet nga një minimum prej 10 prokurorësh, të cilët do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi (neni 148/dh, paragrafi 2 i Kushtetutës së Shqipërisë) dhe Ligji 98 /2016 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’. Deri në shtator 2021 ishin emëruar 15 prokurorë specialë. ↩
-
Sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar merr vendime mbi: a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e; b) çdo krim të kryer nga një grup i strukturuar kriminal, organizatë kriminale, organizatë terroriste dhe banda të armatosura në përputhje me dispozitat e Kodit; c) kallëzime penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarëve të Bashkisë, deputetëve, zëvendësministrave, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe drejtorëve të institucioneve të pavarura dhe qendrore të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj; d) kallëzimet penale kundër ish-zyrtarëve të lartpërmendur, kur vepra është kryer gjatë zhvillimit të detyrës. ↩
-
38 shqiptarë u arrestuan pas hetimeve të koordinuara nga Italia mbi trafikun e drogës (38 Albanians arrested in Italian-led drug trafficking probe), AP News, 2 korrik 2021, https://apnews.com/article/albania-europe-drug-trafficking-arrests-b997f9cfe5032522ef65c11a742f8d57. ↩