Fajdeja i lë njerëzit në kurthin e borxheve në Kosovë.

Fajdeja është një problem serioz në Kosovë, duke i detyruar njerëzit tashmë të dëshpëruar në pozita edhe më të pasigurta. Vetëvrasja e një viktime të tillë u bë kryetitull vendas në maj 2024, por fenomeni përndryshe ka marrë vëmendje të pamjaftueshme, përfshirë edhe nga autoritetet, pavarësisht nga disa raste të zbuluara dhe hetuara nga ligjzbatuesit. Veturat dhe madje edhe shtëpitë lihen si kolateral dhe sekuestrohen, ndonjëherë me marrëveshjen e noterëve. Edhe pse fajdeja është i paligjshëm në Kosovë, hetimet për këto raste janë të rralla – dhe ndjekjet e suksesshme edhe më të rralla.

Fajdja si problem me i theksuar ne Kosove filloi në vitet 1990-ta, kur njerëzit pothuajse nuk kishin qasje në kredi bankare, papunësia ishte shumë e lartë dhe mundësitë për investime ishin të kufizuara. Megjithëse qasja legjitime në kredi u rrit ndjeshëm në dekadën e parë të viteve 2000-ta, huadhënësit e paligjshëm vazhduan të ofronin një alternativë ndaj procedurave burokratike dhe të vështira të ofrimit të kredive nga bankat. Ata shpesh i kanë shikuar si pre sipërmarrësit që kishin nevojë për mbështetje financiare për bizneset e tyre, duke i dhënë atyre kredi të paligjshme në të njëjtën ditë kur u bë kërkesa dhe pa ndonjë dokument.

Megjithatë, këto kredi vinin qartazi me rreziqe, duke përfshirë normat zhvatëse të interesit, veçanërisht në rastin e vonesës së pagesës, si dhe kërcënimet, dhunën dhe sekuestrimin e pronave. Fajdeja në Kosovë besohet se gjeneron miliona euro të ardhura të paligjshme, disa prej të cilave janë të lidhura me pastrimin e parave, sipas vlerësimit të rrezikut kundër pastrimit të parave të vendit për vitin 2020.1

Edhe pse gjerësisht perceptohet si problem, jo ​​më pak nga viktimat, ka të dhëna të kufizuara për shtrirjen e fajdeve në Kosovë. Ka pasur pak hetime dhe ndjekje penale në lidhje me fajde, dhe fenomeni gjithashtu nuk është trajtuar mjaftueshëm nga politikat dhe prioritetet e qeverisë.2

Të dhëna të kufizuara por informuese

Edhe pse të dhënat për fajde janë të kufizuara, statistikat e disponueshme japin disa tregues për përhapjen e krimit. Për shembull, në mes të viteve 2021 dhe 2023, Policia e Kosovës ka shpërbërë 106 grupe kriminale, nëntë organizata (8.5%) mbi bazën se ishin të angazhuar në fajde.3 Nga 740 të dyshuarit e arrestuar në lidhje me krimin e organizuar, 78 (10.5%) u zbulua se ishin të përfshirë në fajde. Shumica e rasteve që janë hetuar në Kosovë përfshijnë rajonin e Prishtinës dhe Pejës.4

2021 2022 2023
Grupet kriminale të shpërbëra 3 3 3
Arrestimet 10 35 33

FIGURA 1 Grupe kriminale të shpërbëra dhe arrestime për fajde, 2021–2023.

Burimi: Policia e Kosovës

Aktualisht, 14 grupe të krimit të organizuar që besohet të jenë të përfshira në fajde janë duke u hetuar nga njësitë e policisë kosovare të angazhuara në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.5 Shumica e të dyshuarve janë të lirë në pritje të gjykimit.

Sipas Inspektoratit Policor, katër policë janë hetuar në me të viteve 2021 dhe 2023, duke rezultuar në arrestimin e tre zyrtarëve policorë dhe akuzuar nën dyshimin për fajde.6 Në një intervistë, kreu i inspektoratit policor pranoi akuzat se ishin përfshirë edhe oficerë të tjerë policie.7 Në një vend ku ka pak hetime për fajde, nuk është për t’u habitur që hetimet për përfshirjen e policisë janë edhe më të rralla dhe më të ndërlikuara.

Gjithnjë e më thellë në borxhe

Rastet e fundit tregojnë modalitetet e fajdeve dhe shumat e parave të përfshira. Për shembull, një organizatë kriminale e njohur si grupi i Brezovicës është duke u hetuar nga prokuroria në qytetin juglindor të Ferizajt. Sipas prokurorit, Rasim Maloku, grupi mendohet se përbëhet nga rreth 15 persona, mes të cilëve edhe pronarë të bizneseve të mëdha që veprojnë në Kosovë.8

Viktimat e këtij grupi vlerësohet se kanë marrë hua rreth 2 milionë euro dhe kanë paguar më shumë se 500 000 euro në vit kamatë.9 Një nga viktimat kishte hasur në vështirësi financiare gjatë pandemisë COVID-19 dhe iu drejtua fajdexhinjëve për ndihmë. Atij iu ngarkua 10% kamatë në muaj.10 Në qershor të vitit 2024, policia arrestoi një grup nga qyteti i Gjilanit, i cili dyshohet se i kishte dhënë hua 50 000 euro një biznesmeni dhe kërkoi 600 000 euro në këmbim në bazë të një kamate prej 20% në muaj.11

Rënia në kthetrat e fajdexhinjëve mund të çojë në një spirale rënëse e shtrenjtë. Në një rast në Ferizaj, fajdexhinjët ofruan për të ndihmuar një ‘klient’ me borxhe të mëdha për të shitur makinat e tij për të shlyer kredinë. Huamarrësi i dorëzoi një veturë, me vlerë 100 000 euro, fajdexhinjëve, të cilët e shitën atë në të njëjtën ditë për 60 000 euro, duke bërë një fitim për veten e tyre, por duke e lënë viktimën me një minus prej 40 000 euro.12 Skema të tilla cinike lehtësohen nga fakti se disa fajdexhinjë drejtojnë auto-sallonet e tyre.

Për të rikthyer veturat e tyre, ish-pronarët e veturave me borxh ndonjëherë pajtohen të japin veturën me qira nga tregtari ose të nënshkruajnë një kontratë afatgjate për shlyerjeje borxhi - përsëri, me norma tepër të larta interesi. Në marrëveshje të tilla (të cilat ndonjëherë zyrtarizohen nga noterët), debitori pajtohet që mospagesa i jep të drejtën fajdexhiut të konfiskojë pasuritë e tyre.13 Në disa raste, pasuritë janë vetura; në raste më ekstreme, shtëpitë ose apartamentet janë përdorur si kolateral. Si rezultat, viktimat, borxhet e të cilave janë bërë të papagueshme, janë detyruar të humbasin shtëpitë e tyre nga përmbaruesit ligjorë privatë. 14

Vonesat në shlyerjen e kredive, qoftë edhe një ditë, shkaktojnë kamata dhe gjoba shtesë. Në disa raste, fajdexhinjët janë të paarritshëm me telefon ose personalisht kur debitori përpiqet të paguajë obligimin. Megjithatë, pas disa ditësh, fajdexhiu do të rishfaqet, do të ankohet se kredia nuk është shlyer në kohë dhe do të vendosë gjoba shtesë.

Edhe pse Kosova ka një kod penal që i mundëson sistemit të drejtësisë penale të hetojë rastet e fajdes, 15 pak viktima i raportojnë rastet në polici, kryesisht për shkak të frikës. Në disa raste, kjo është për shkak se policia është fajdexhiu.

Në mars të vitit 2024, një familje nga qyteti i Pejës u dëbua nga shtëpia e tyre nga policia. Marrësi i pasurisë së konfiskuar dyshohet se ishte një oficer policie i cili, sipas familjes, ua kishte dhënë hua 80 000 euro me kamatë mujore prej 10%.16 Pasuria e vlerësuar nga viktima është afër 1 milion euro. Prokuroria e Prizrenit tërhoqi akuzat ndaj të dyshuarit, duke deklaruar se mungonin dëshmitë se i dyshuari kishte kryer zhvatje, ndërsa viktima kryesore pretendonte se ishte kërcënuar dhe kishte ikur në SHBA.17 Polici i akuzuar vazhdon të jetë në detyrë. Një kapiten policie u arrestua në vitin 2021 me dyshimin për fajde. Ai akuzohet se ka përfituar mbi 17 000 euro nga një hua prej 20 000 euro.18 Në vitin 2022, dy oficerë policie, duke përfshirë një rreshter, u arrestuan, ndërsa asnjë rast nuk u hetua në vitin 2023.19

Fajdeja ndonjëherë është biznes familjar. Në korrik 2024, policia arrestoi një nënë dhe dy djemtë e saj, babai i ndjerë i të cilëve kishte drejtuar një ndërmarrje fajdeje. Viktima në këtë rast fillimisht kishte marrë një kredi prej 14 000 euro nga babai.20 Duke qenë se viktima nuk ishte në gjendje të shlyente kredinë, u detyrua të merrte një kredi shtesë nga nëna. Kur nuk ka mundur të shlyejë kredinë e dytë, ka marrë dy kredi shtesë nga dy djemtë. Për të mbuluar borxhin e fundit, viktima ka marrë një kredi prej 27 000 euro nga një person jashtë familjes. Vetëm atëherë viktima ka njoftuar policinë. Nga një kredi fillestare prej 14 000 euro, viktima ka përfunduar me një borxh mbi 80 000 euro.

Megjithatë, rrënimi financiar nuk është i vetmi dëm i shkaktuar nga fajdeja. Dëshmitarët kanë dëshmuar gjatë proceseve gjyqësore se ata janë rrëmbyer ose se të afërmit e tyre janë kërcënuar me vdekje.21 Disa viktima madje kanë kryer vetëvrasje, si një mashkull në Çagllavicë, fshat ky afër Prishtinës, i cili vdiq në maj 2024.22 Një tjetër viktimë e fajdeve tentoi vetëvrasje në qytetin e Mitrovicës në tetor 2023.23 Në të dyja rastet, fajdexhinjët u arrestuan.

Fajdeja në rajonin e gjerë

Fajdeja është një krim i nënvlerësuar dhe i nën-raportuar në shumë vende të Ballkanit Perëndimor.24 Në Serbi, fajdexhinjët janë të lidhur mirë me avokatët dhe noterët, duke siguruar që marrëveshjet janë formale dhe të vërtetuara.25 Në mars 2022, Serbia realizoi operacionin e saj të parë që synonte luftimin e fajdes, i cili rezultoi në arrestimin e tetë personave të akuzuar për pastrim parash, fajde dhe krime të tjera. Të dyshuarit kreditë e paligjshme i siguronin me peng të pronës së paluajtshme përmes kontratave të nënshkruara nga noterët dhe avokatët. Kur kreditë nuk ishin shlyer, i akuzuari mori pronësinë e pasurive. Autoritetet konfiskuan pasuri me vlerë rreth 5 milionë euro.26

Në Bosnje dhe Hercegovinë, fajdeja shpesh lidhet me grupet e përfshira me trafikimin e drogës dhe armëve ose krime të tjera.27 Megjithatë, ka pasur edhe raste të grupeve kriminale që u kanë dhënë hua para punonjësve të policisë dhe më pas i kanë zhvatur për informata dhe bashkëpunim për të shlyer borxhet e tyre.28

Mbështetja në marrëveshjet joformale të biznesit në shoqëritë e bazuara në para të gatshme, së bashku me joefektivitetin e parandalimit dhe kontrollit të pastrimit të parave, u mundëson fajdexhinjëve të vazhdojnë aktivitetet e tyre kriminale dhe të pastrojnë të ardhurat e paligjshme. Derisa viktimat e tyre janë të zhytur në borxhe dhe tragjedi personale, fajdexhinjët shpesh përdorin fitimet e tyre të paligjshme për të investuar në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe auto-sallone. Ata gjithashtu shfaqin stilet e tyre të jetesës ekstravagante në rrjetet sociale.

Pavarësisht normave më të ulëta të interesit, procedurave të thjeshtuara për marrjen e kredive bankare dhe njohjes në rritje të dëmit serioz financiar dhe kërcënimeve dhe dhunës së natyrshme që lidhen me fajde, njerëzit në Ballkan vazhdojnë të marrin hua të paligjshme. Më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet çështjes në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit për të rritur ndërgjegjësimin për problemin dhe dëmet e tij, dhe për të parandaluar që njerëzit të bien në një kurth borxhi (që mund të jetë edhe një kurth vdekjeprurës). Disa viktima kanë raportuar se nuk ishin në dijeni të pasojave, ndërsa të tjera mendonin se nuk kishin zgjidhje tjetër edhe pse i dinin rreziqet.

Kërkohet një fushatë informuese

Edhe pse janë nisur fushata të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin e publikut lidhur me krimet e caktuar dhe shqetësime për sigurinë publike në Kosovë, nuk ka pasur iniciativa që synojnë në mënyrë specifike rreziqet dhe pasojat e marrjes së kredive ilegale nga fajdexhinjët. Për të trajtuar këtë mungesë, është thelbësore të zhvillohen fushata të synuara ndërgjegjësimi që fokusohen në edukimin e publikut për rreziqet e fajdeve. Këto fushata duhet të nxjerrin në pah implikimet e rënda financiare, ligjore dhe personale të sigurisë së kredive të tilla. Akterët e sektorit privat, siç janë noterët, jo vetëm që duhet të informojnë viktimat e mundshme për pasojat e kontratave të tilla të kredive, por edhe të informojnë autoritetet nëse dyshojnë se po ndodh fajdeja. Përveç kësaj, ekziston nevoja për rritje të trajnimit dhe ndërgjegjësimit brenda qeverisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit për t’u mundësuar atyre të planifikojnë dhe zbatojnë më mirë masat efektive për parandalimin dhe luftimin e fajdes.

Shënime

  1. Njësia për Inteligjencë Financiare e Kosovës, Vlerësimi i rrezikut kombëtar nga pastrimi i parave dhe financimit të terrorizmit, 2020. 

  2. Për shembull, fajdeja nuk përmendet në Planin Strategjik dhe Operacional të Qeverisë 2022–2025, as në Vlerësimin e Kërcënimit të Krimit të Rëndë dhe të Organizuar ose në Strategjinë kundër Krimit të Organizuar 2018–2022. Shih te Ministria e Punëve të Brendshme, Strategjia Shtetërore kundër krimit të organizuar, 2018. 

  3. Komunikimi me Policinë e Kosovës, 20 mars 2024, me email. 

  4. Intervistë me Policinë e Kosovës, qershor 2024, me email. 

  5. Po aty. 

  6. Intervistë me Inspektoratin Policor të Kosovës, 20 qershor 2024, me email. 

  7. Kallxo, Fajdetë, korrupsioni dhe krimi në Polici, YouTube, 26 May 2024. 

  8. Intervistë me Rasim Malokun, Prishtinë, 27 qershor 2024. 

  9. Naser Sertolli, Dosja e biznesmenëve që dyshohen për miliona euro fajde, Kallxo, 5 mars 2023. 

  10. Pronari i kompanisë së lëngjeve nga Podujeva i dyshuar për fajde, Kallxo, 5 mars 2023. 

  11. Aksion kundër të dyshuarve për fajde në Gjilan – Pamje, Kallxo, 21 qershor 2024. 

  12. Naser Sertolli, Dosja e biznesmenëve që dyshohen për miliona euro fajde, Kallxo, 5 mars 2023. 

  13. Kallxo, Familja Brdakiç largohet me urdhër përmbarimor nga prona, YouTube, 19 maj 2024. 

  14. Po aty. 

  15. Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, Ligji nr.06/L-074 Kodi Penal i Republikës së Kosovës, 14 janar 2019. 

  16. Kallxo, Denoncimi i fajdesë, YouTube, 19 maj 2024. 

  17. Po aty. 

  18. Dosja e Prokurorisë: Kapiteni i Policisë i dha fajde 20 mijë dhe përfitoi mbi 17 mijë euro nga to, Kallxo, 18 qershor 2021. 

  19. Intervistë me Inspektoratin Policor të Kosovës, 20 qershor 2024, me email. 

  20. Kallxo, Emisioni #KallxoPernime - Dosja e fajdeve, YouTube, 27 korrik 2024. 

  21. Qazim Hasanaj, Gruda: Fajdexhinjtë Kërcënuan se do të ma Shfarosnin Familjen, Kallxo, 18 janar 2017. 

  22. Fajdexhinjtë e Lipjanit – I arrestuari para një muaji e gjysmë mori një Range Rover nga i vetëvrari, Insajderi, 15 maj 2024; Arrestohet i dyshuari për fajde dhe për shtytje për vetëvrasje, Kallxo, 11 korrik 2024. 

  23. Sinjali, E rëndë: 56-vjeçari në Mitrovicë tentoi t’i jap fund jetës për shkak të presionit nga fajdexhinjtë, Sinjali, 7 tetor 2023. 

  24. Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, Zhvatja është nënvlerësuar dhe nën-raportuar në Serbi, Buletini i rrezikut, Botimi 12, GI-TOC, maj 2022. 

  25. Observatori i Ekonomive të Paligjshme në Evropën Juglindore, Zvogëlimi i cenueshmërisë ndaj fajdes në Serbi, Buletini i rrezikut, Botimi 9, GI-TOC, shtator 2021. 

  26. Zelenašenje pre bilo na reč i pretnju, evo kako danas funkcioniše i koja je ‘stara srpska boljka’, 021, 27 dhjetor 2021. 

  27. Këshilli i Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Radna grupa za izradu Strategije za borbu protiv organizovanog kriminala u Bosni i Hercegovini za period 2021-2024. godine, dhjetor 2021. 

  28. Intervistë me një inspektor të lartë policor, 5 korrik 2024, Mostar.